Konjufca: Sot kujtojmë e nderojmë heroin Bahri Fazliu, veprimtarin e shquar të trinomit të mendjes, lapsit dhe pushkës

featured

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca e ka kujtuar heroin e kombit Bahri Fazliu, në 25 vjetorin e rënies heroike të tij.

Konjufca vlerësoi lart veprën e heroit Bahri Fazliu, duke e renditur atë në mesin e intelektualëve dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit shqiptar.

“Sot, në 25-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë poetin, publicistin, luftëtarin dhe dëshmorin për liri, Bahri Fazliun, veprimtarin e shquar të trinomit të mendjes, lapsit dhe pushkës, të bashkëvendosura në frazën e tij aq të dashur të lirisë. Ai ishte ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, kryeredaktor në gazetën “Çlirimi”, e cila shpërndahej ilegalisht në Kosovë dhe më vonë, pjesëmarrës me kontribut të jashtëzakonshëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Tutje ai kujton se heroi Fazliu edhe pse i arrestuar dhe i burgosur në vitin 1989 nga regjimi serb në Kosovë, por aspak i friksuar, përkundrazi, gjithnjë e më i bindur për rrugën e tij të drejtë, sado e vështirë.

“Bahri Fazliu thoshte përmes poezive të tij se kur populli të zgjohet me gazetën “Çlirimi”, zgjimi do të ishte i gjatë, pa rënie më në gjumë, për të mos pasur më natë. Ai ishte intelektual i angazhuar, që militonte furishëm në idenë e lirisë dhe vendosi çdo aftësi të tij në funksion të çlirimit. Ai ishte i zgjuar dhe donte t’i zgjonte edhe të tjerët, në një gjendje të represionit të rënduar nga aparati shtetëror serb, që do të rezultonte në luftë të pashmangshme”, tha kryekuvendari.

Konjufca shtoi se në pranverën e vitit 1998, ai kishte marrë detyrën për të shkuar në Shqipëri me qëllimin e furnizimit me armatim, rrugë të cilën e kishte kaluar edhe më parë gjatë fillimit të viteve ’90. Por, këtë radhë, më 7 maj 1998 ai do të binte dëshmor duke luftuar përballë forcave të ushtrisë serbe, në kufirin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Mali të Zi, në afërsi të Plavës.

“Bahri Fazliu shkroi për dëshmorët, për gjeninë e dëshmorëve, siç u bë edhe vetë. Ai ishte depozituesi i furishëm i shembullit të dëshmorëve që dhanë jetën për liri e atdhe, nëpër vite e nëpër breza. Ai frymëzohej prej tyre, inspirohej në lartësinë e veprës së tyre. Sa më shumë shkruante për ta, aq më shumë renditej me ta. Kategori si jeta dhe vdekja, e tashmja dhe e shkuara për të nuk kishin peshën e rëndomtë. Ai me ndërgjegje të plotë jetoi për liri deri në vdekje, me hapin e ritmit të të gjithë dëshmorëve veproi me bashkëluftëtarët deri kur ra dëshmor për atdhe. Jeta e tij duket sikur mbante të ngjeshur historinë kombëtare të rezistencës, që punonte për të përgatitur luftën që shumë shpejt do të vinte dhe do të sillte çlirimin.Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit, heroit kombëtar Bahri Fazliu!”, ka shkrusar mes tjerash Konjufca, ndërsa ka shpërndarë edhe vargje nga një poezi e heroit Bahri Fazliu.

S’mund të ndahem nga lufta

Me gjithë mallin që kam për ty, nënë

me gjithë dhembjen që ke për mua,

me gjithë dëshirën që kam përjetë,

megjithëqë një vajzë shumë e dua.

Megjithëqë më pëlqen stina e pranverës,

megjithëqë dua paqen në botë,

megjithëqë më pëlqen të nxehtët e vapës

megjithëqë me dëshirë do të rrija mbi tokë.

S’mund të ndahem nga lufta kurrë

s’mund të pajtohem me paqen-robëri

pashë më pashë do t’i bie ferrit,

për të shenjtën tonë liri.

Edhe vdekjen do ta puth, nënë

kur lufta këtë do ta kërkojë,

edhe nga varri do të ngrihem,

Luftën kurr s’do ta pushoj.

Bahri Fazliu,

1994

Konjufca: Sot kujtojmë e nderojmë heroin Bahri Fazliu, veprimtarin e shquar të trinomit të mendjes, lapsit dhe pushkës
|