1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Ekstradimi i Grupit të Kumanovës: Lloga thotë se po punohet për kompletimin e dokumentacionit

Ekstradimi i Grupit të Kumanovës: Lloga thotë se po punohet për kompletimin e dokumentacionit

featured

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për ekstradimin e Grupit të Kumanovës, duke nënvizuar se dinamika e realizmit të ekstradimit varet gatishmëria dhe shpejtësia e veprimit të gjykatave dhe institucioneve të tjera në këtë rast dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri Lloga është shprehur i prerë se duhet të ketë përgjegjësi për ata gjykatës që i lanë të të vjetrohen lëndët ku janë të përfshirë zyrtarët e lartë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, sikurse ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer, ashtu dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, dolën me kritika serioze për ndodhitë edhe në Këshillin Gjyqësor, por edhe për aktvendimet, përkatësisht nga shfuqizimi i aktvendimeve nga Gjykata e Apelit që çoi në vjetërsimin e lëndëve ku ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit. Çka ndërmorët ju pas atyre kritikave, marrë parasysh dhe të dhënat e fundit të IRI-t që thonë se vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë besim te gjyqësori?

Krenar Lloga: Për fat të keq te ky 4 përqindëshi besoj se duhet të jenë vetëm familjarët e gjykatësve dhe prokurorëve, sepse nuk ka asnjë logjikë tjetër që të jetë kaq e ulët besueshmëria nëpër këto institucione. Si letra e ambasadores së SHBA-së (Angela Aggeler), ashtu dhe shqetësimet e shprehura nga ana e ambasadorit të BE-së në Shkup, David Geer, janë në një vijë me atë që ne kemi thënë që nga dita e parë që kemi ardhur në Ministrinë e Drejtësisë. Dhe, në këtë pikë ne punojmë për zgjidhjet sistemore që mund të japin ndryshimet ligjore.

Por, hallka e besueshmërisë së organeve gjyqësore nuk lidhet me Ministrinë e Drejtësisë pasi ajo nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë por ka të bëjë me një bashkëpunim që duhet të rritet, sikurse edhe niveli përgjegjësisë dhe transparencës në këto organe vendimmarrëse.

Është e vërtetë se gjyqësia në Maqedoninë e Veriut nuk po e kalon momentin më të mirë të saj.

Radio Evropa e Lirë: Pasi pranuat letrën nga ambasadorja amerikane, cila është përgjigjja e juaj?

Krenar Lloga: Po, unë e kam pranuar letrën nga ambasadorja amerikane, të cilën e kanë pranuar dhe shumë institucione në vend, dhe ashtu siç u shpreha edhe më lart, në të janë apostrofuar shqetësime të cilat tashmë janë ngritur nga ana jonë (nga Ministria e Drejtësisë).

Dhe për këtë pikë ne kemi pasur kontakte me të gjitha llojet e institucioneve që janë në zinxhirin e këtyre ndodhive, por është në dorën e organeve gjyqësore dhe Prokurorisë që të ndërmarrin masa respektove, sepse do të duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë këta gjykatës që i kanë lënë lëndët të vjetërsohen apo edhe që vendimet e tyre nuk janë meritore ashtu siç edhe duhet të ishin për rastet e caktuara.

Radio Evropa e Lirë: Mbetemi edhe pak këtu… Një nga kritikat e faktorit ndërkombëtar mbetet fakti se autorët, pjesë e krimit në nivel të lartë, arrijnë të shpëtohen përmes mbajtjes në sirtarë të këtyre lëndëve nga ana e gjykatësve. Do të ketë sanksione për këta gjykatës? Do të gjendet një modalitet që të ndëshkohen këta gjykatës që ua mundësuan t’i ikin përballjes me drejtësinë ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, për të cilat kishte iniciuar procedurë juridike ish-Prokuroria Speciale?

Krenar Lloga: Organi, i cili duhet të ndërmarrë masë disiplinore edhe për shkelje edhe për shkarkim, është Këshilli Gjyqësor. Dhe, për një rast të tillë unë vetëm para dy javësh kam kërkuar që të ndërmerren masa përkatëse për kryetaren Gjykatës në Kumanovë, e cila nga tetë pikat e raportit – i cili për fat të keq ka kaluar edhe në Këshillin Gjyqësor – shtatë pika nga tetë nuk janë plotësuar, e ku përfshihet dhe sistemi AKTMIS, i cili ka të bëjë me shpërndarjen e automatizuar të lëndëve.
Kështu që, unë pres që Këshilli Gjyqësor të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të gjithë këta gjykatës të marrin atë që u takon – në këtë rast masën disiplinore deri në shkarkim, pasi me ose pa vetëdije kanë shkaktuar dëm në këto procese.

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëndrimi juaj, çfarë përgjegjësie duhet të kërkohet? A bëhet fjalë për përgjegjësi penale, disiplinore, apo diçka tjetër?

Krenar Lloga: Atë e parasheh shumë mirë ligji. Do të thotë, patjetër të ketë procedurë disiplinore, ndërsa pastaj, përsëri në procedurë ligjore, procedurale, do të duhet të dëshmohet se ajo a është bërë me keqdashje, a është lëshim, apo mos është bërë nga mosdija. Sido që të jetë, kjo pjesë mbetet në kuadrin e kompetencave të organeve, të cilat janë të mëvetësishme dhe të cilat duhet të respektohen deri në fund, në këtë rast: të Këshillit Gjyqësor.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, thoni se, i thirrur për punën e gjykatësve është Këshilli Gjyqësor, ndërkohë këtë javë kishim shkarkimin e kryetares së këtij organi nën kompetenca të cilit është emërimi i gjykatësve. Kur e them këtë, kujtoj zhvillimet e bujshme dhe reagimet në opinion, ndërkohë që edhe pse kërkuat, akoma nuk keni qasje te procesverbali i kësaj seance, duke rritur edhe më shumë mungesën e besueshmërisë ndaj sistemit gjyqësor.

Krenar Lloga: Fatkeqësisht, ndodhi ajo të cilën e panë përmes mediave në Këshillin Gjyqësor. Kjo është një dukuri që nuk i nderon as ata e as sistemin. Unë ndiej keqardhje për atë që ndodhi atje dhe uroj që të mos përsëritet më. Është e vërtetë se kjo mund ta dëmtojë edhe imazhin, por edhe besueshmërinë e gjithë publikut rreth këtij organi të lartë gjyqësor.

Ajo që mund të bëj është që ata të gjejnë zgjidhje të shpejtë të konsensusit dhe të vazhdojnë punën normale. Ato janë një organ i mëvetësishëm dhe këtë do të duhet ta respektoj edhe unë edhe të tjerët.

Radio Evropa e Lirë: Procesverbalet nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor, në të cilën ishte shkarkuar kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, thatë se nuk i keni marrë… Çka ju flet kjo për raportin e tyre ndaj jush si ministër?

Krenar Lloga: Unë për nga funksioni jam anëtar i Këshillit Gjyqësor. Dhe, rregullisht i pranoj të gjitha këto procesverbale, bashkë me rendin e ditës – kurdo që të jetë mbledhja. Unë kam kërkuar nga ana e tyre; ndërsa nuk i kam pranuar, për shkak se nuk janë miratuar në mbledhje.

“Besueshmëria e shqiptarëve në organet gjyqësore është shumë e ulët”

Radio Evropa e Lirë: Dikasteri i Drejtësisë, të cilin tani e drejtoni tani, pavarësisht se është drejtuar shumë herë nga shqiptarët, qytetarët shqiptarë më së paku i besojnë sistemit të drejtësisë . Çka do të ndërmerrni që rastet si “Alfa”, “Mostra”, për të cilët vlerësohet se janë procese të montuara politike, të mos ngecin në labirintet e gjykatave, por një herë e përgjithmonë të ndriçohen plotësisht?

Krenar Lloga: Fatkeqësisht situata është pikërisht kështu. Besueshmëria e shqiptarëve në organet gjyqësore është shumë e ulët dhe pikërisht këto raste kanë kontribuar që të jetë e ulët. Nga ardhja ime në krye të kësaj ministrie, paralelisht janë dy procese: një është që përmes miqve tanë ndërkombëtarë të mundësohet një mision vlerësues në të gjitha lëndët që ne i kemi klasifikuar si të montuara, të mundësohet që përmes Komisionit vlerësues të rihapen dhe nga ta të kërkohet saktësia në dënimin meritor.
Pjesa tjetër është se po bëjmë të njëjtën gjë edhe brenda sistemit gjyqësor. Ndjekim hap pas hapi dhe presim që këto lëndë të mund të marrin vendimin meritor dhe përmes rrugës ligjore të zbardhet fajësia ose pafajësia e këtyre rasteve, të cilat tangojnë publikun në Maqedoninë e Veriut sidomos atë shqiptar.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të pritet rihapja e tyre?

Krenar Lloga: Nuk mund të them një datë të tillë, sepse kjo nuk është në kompetencat e mia.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë muajit të kaluar theksuat se ka pasur lëshime në procedurat që kanë të bëjnë me kërkesën për ekstradimin e Grupit të Kumanovës. Për çfarë lëshimesh bëhet fjalë dhe kur mund të realizohet ky proces?

Krenar Lloga: Atë që kam marrë nga dokumentacioni në fjalë dhe që e kanë referuar punonjësit e administratës brenda në ministri është se disa nga kërkesat nuk janë të kompletuara. Kemi filluar me procesin e kompletimit të dokumentacionit pastaj fillon një nga një fazat, të cilat rrjedhin deri në momentin që duhet të kryhet edhe transferimi i tyre në burgjet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Mund të flasim për një afat kohor apo dinamikë të realizimit të procesit të ekstradimit?

Krenar Lloga: Kjo ngërthen shumë institucione, si brenda vendit ashtu edhe në Kosovë. Pra, kemi të bëjmë me vendimet që duhet të njihen nga ana e Gjykatave në Kosovë, pra vendimet e plotfuqishme të cilat janë vendosur në Maqedoni të Veriut, varësisht nga gatishmëria dhe shpejtësia e gjykatave dhe institucioneve të tjera – në këtë rast edhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme – do të varet dinamika e realizimit të procesit në fjalë./REL

Ekstradimi i Grupit të Kumanovës: Lloga thotë se po punohet për kompletimin e dokumentacionit
|