Sali Berisha i rrëfeu dibranëve se e do Dibrën më shumë se ta.
“Thirrja ime për dibranët, ta doni Dibrën sa e do Sali Berisha”.
Provat e dashurisë i kërkoi që t’ia vërtetonin me 14 maj duke kundërshtuar me votë projektit amerikan të Hidrocentralit të Skavicës.
“Hidrocentrali i Skavicës është mbytja e Dibrës. Edi Rama në zbatim të politikave antishqiptare ka bërë gjithçka të zhduki Dibrën. Jam i bindur se do të dështojnë dhe kësaj here. Ftoj dibrane dhe dibranë në këmbë të votoni më 14 maj, jo për partitë, por Dibrën, për të ardhmen, për të sotmen tuaj“- tha Berisha.
Pasi i la porositë e tij dibranëve u zhvendos në Bulqizë, ku sulmoi kundërshtarin politik për rrugën e Arbrit.
“A e keni parë ju se si e kanë inauguruar gjer më sot, pesë herë Rrugën e Arbrit. Inauguruan tunelin e Qafë Buallit. Ai tunel mund të ishte inauguruar 15 herë gjer më sot, por ata e lanë ta inauguronin në prag të zgjedhjeve.”.
Dy fjalë i kishte dhe për të drejtuesen socialiste të qarkut Dibër.
“Unë ia them sot: Belinda Balluku, do të përgjigjesh gjer më një si kriminele elektorale, si Edi Rama, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu, Damian Gjiknuri. Ju jeni një bandë kriminale, por ju jap fjalën se deri ditën e fundit do ndiqeni për krimin e shëmtuar që keni kryer dhe po kryeni”.
Prej 8 vitesh Bulqiza administrohet nga të majtët, por Sali Berisha kërkon që në 14 maj ta kthejë Bashkinë blu. Socialistët kandidatojnë këtë herë me një grua, pasi kryebashkiaku Lefter Alla ra në rrjetën e SPAK për falsifikim.
Top Channel