Rasti Gucati dhe Haradinaj, caktohet paneli i Supremes në Hagë për të vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë

featured

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova ka caktuar më 4 maj panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Gucati dhe Haradinaj kanë dorëzuar kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë më 2 dhe 3 maj 2023, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit në faqen zyrtare të DhSK-së.

Paneli do të përbëhet prej kryetares Trendafilova si kryesuese dhe gjykatësve Christine van den Wyngaert and Daniel Fransen.

Ndryshe, më 18 maj 2022, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shpallur aktgjykimi në shkallë të parë, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i  shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Por që, Paneli i Apelit në Hagë, më 2 shkurt 2023 ka ulur dënimin për nga tre muaj ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ashtu që u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim (secili veç e veç). Ndërsa, la në fuqi dënimin me gjobë në shumën prej 100 euro për secilin veç e veç.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Rasti Gucati dhe Haradinaj, caktohet paneli i Supremes në Hagë për të vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë
|