Diplomacia e Maqedonisë së Veriut nuk ekziston dhe është reduktuar në një grup individësh me dëshirë për të qenë ambasadorë, në vend që të zgjidhet një problem shtetëror. Aty në Ministrinë e Jashtme bëhen avancime personale, por jo diplomaci. “Prandaj ka disfata dhe turp”, theksoi lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në forumin partiak me temë “Politika e Jashtme”,informon PRESSonline.al
Para anëtarëve dhe simpatizantëve të VMRO DPMNE-së në Manastir, Mickoski përsëriti se nuk do të votojnë për ndryshime kushtetuese në përbërjen aktuale parlamentare.
“Ata duhet ta dinë se VMRO-DPMNE nuk do të heqë dorë as një milimetër dhe se ndryshimet kushtetuese nuk do të kalojnë, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar dhe në këtë përbërje të Parlamentit. Ata (Qeveria) e dinë se VMRO-DPMNE është mbrojtës i interesit kombëtar maqedonas, nga këtu në Manastir mund t’u them se është aq e fortë sa do t’ju mbijetojë dhe do t’ju mundë”, theksoi Mickoski.
Duke kujtuar gjendjen aktuale socio-politike në vend, Mickoski tha se VMRO-DPMNE nuk është kundër ndërtimit të korridoreve të reja rrugore, por është kundër vjedhjes dhe e thirri kryeministrin Kovaçevski në një duel televiziv.
“Unë kam një ofertë publike për Dimitar Kovaçevskin, ata vetë thonë se janë transparentë, dhe pasi opinioni meriton përgjigje, meriton të dijë se si shpenzohen miliardat e popullit. Ejani në duel, po ikni nga zgjedhjet, po ikni nga përballjet për tema të ndryshme, të shkojmë në një duel, ballë për ballë dhe përballemi publikisht vetëm për këtë marrëveshje. Nëse kanë punuar me ndershmëri, nëse kanë një kontratë të ndershme cilësore që ofron të ardhme, do të shfaqet në duel”, tha Mickoski, përcjell PRESSonline.al
Sipas kreut të opozitës Hristian Mickoski, partia e tyre do të fitojë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në të cilat presin shumicë me 61 deputetë.(PRESSonline.al)