1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Lirohet nga akuza ish-gjyqtari Kolë Puka i akuzuar për shpëlarje parash

Lirohet nga akuza ish-gjyqtari Kolë Puka i akuzuar për shpëlarje parash

featured

Është liruar nga akuza ish-gjyqtari Kolë Puka i ngarkuar për shpëlarje parash.

Aktgjykimi lirues është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Suzana Çerkini.

Sipas aktgjykimit, Puka është liruar nga akuza sepse nuk është provuar se i njëjti gjatë periudhës kohore 2007-2009 ka kryer veprën penale “shpëlarja e parash”.

Shpenzimet gjyqësore bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Për nxjerrjen e aktgjykimit lirues gjykata ka pasur parasysh qëndrimet dhe rekomandimet e precizuara ne aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu, ka rishqyrtuar të gjitha provat e administruara gjate procesit të rigjykimit në këtë shqyrtim gjyqësor të cilat i ka vlerësuar një nga një dhe të gjitha së bashku dhe ka konstatuar se të njëjtit nuk vërtetojnë faktet vendimtare që ndërlidhen me elementet e veprës penale të shpëlarjes se parave.

Ndërsa, prokuroria gjatë procesit të rishqyrtimit gjyqësor nuk ka paraqitur asnjë provë të re që do të vetëtonte se i akuzuari sipas aktakuzës gjatë periudhës inkriminuese të precizuar gjate fjalës përfundimtare ka kryer veprën penale të shpëlarjes se parave.

Paraprakisht është dhënë fjala përfundimtare nga prokurori special Naim Abazi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kolë Puka, avokati Veton Puka, të cilën e dorëzuan me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Abazi kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Puka ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptohet një dënim sipas Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore të Gjykatës Supreme, pasi që sipas tij vetëm kështu do të parandalohen persona të tjerë nga kryerja e veprës penale të shpëlarjes së parave. Sipas tij, në rastin në konkret nuk ka rrethana lehtësuese që do të mund të aplikoheshin.

Tutje, prokurori Abazi në fjalën e tij përfundimtare ka theksuar se i akuzuari Puka ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ashtu që gjatë aktivitetit kriminal i njëjti ka qenë në pozitën e gjyqtarit e i thirrur për të vendosur drejtësi por është përpjekur të maskojë prejardhjen e pasurisë së tij.

I njëjti gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka bërë precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale, ashtu që në vend të viteve 2002-2009 duhet të jetë 2007-2009, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pa ndryshuar.

Në anën tjetër, avokati Veton Puka kërkoi nga gjykata që të vendosë në një linjë me rekomandimet e precizuara të Gjykatës së Apelit, duke propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2014, i akuzuari Kolë Puka është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Puka, duke e ditur që pasuria e përfituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim që ta fsheh, ta konvertojë apo maskojë, me këto mjete financiare ka blerë patundshmëri dhe më 4 prill 2008 në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë në vlerë prej 35 mijë euro.

Tutje, për të humbur gjurmë më tepër lidhur me këtë patundshmëri, thuhet se në bashkëpunim me babanë e tij, të akuzuarin Z.P, i njëjti e kishte evidentuar patundshmërinë në emër të babait.

Sipas Prokurorisë, me këtë në bashkëkryerje të akuzuarit Puka kanë kryer veprën penale, “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Kolë Puka, me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, më 8 qershor 2007, ka blerë një banesë në Pejë, të cilën më 9 tetor 2007 ia kishte shitur Jeton Abazit në shumën prej 8 mijë euro.

Po ashtu, i akuzuari Kolë Puka, më 20 shkurt 2007, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë ka blerë patundshmërinë nga Bora Abazi në vlerë prej 38 mijë euro (ku 8 mijë euro është llogaritur banesa që ia ka shitur Jeton Abazi, ndërsa 30 mijë euro i ka dhënë të holla).

Sipas aktakuzës, i njëjti duke dashur që ta fshehë burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale, të njëjtën patundshmëri më 17 prill 2009 përmes kontratës të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë ia ka shitur Kolë Duhanajt në vlerë prej 30 mijë euro.

I akuzuari Kolë Puka, për këto veprime akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5, dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Lirohet nga akuza ish-gjyqtari Kolë Puka i akuzuar për shpëlarje parash
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.