Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që kanë humbur jetën në dy ngjarjet tragjike në Beograd.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka thënë se ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, teksa u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
“Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë. Uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit”, ka shkruar Konjufca.
Ndryshe, sot, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka bërë të ditur se tetë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit në territorin e qytetit të Beogradit.
Ndërsa, të mërkurën një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një roje të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.