1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Azerbajxhani dhe Armenia bëjnë përparim në bisedimet për paqe

Azerbajxhani dhe Armenia bëjnë përparim në bisedimet për paqe

featured

Azerbajxhani dhe Armenia bënë përparim të rëndësishëm në adresimin e çështjeve të vështira, gjatë bisedimeve “intensive dhe konstruktive” që organizoi SHBA-ja këtë javë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken tha se pas diskutimesh dypalëshe dhe trepalëshe gjatë katër ditëve të kaluara, të dyja palët “demonstruan një angazhim të sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e konfliktit të gjatë mes tyre”.

Dy palët ranë dakord në parim për disa kushte dhe kanë më shumë mirëkuptim të pozicioneve të njëra-tjetrës për çështjet e pazgjidhura, tha Blinken.

Bakuja dhe Jerevani do të vazhdojnë të kenë mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e tyre për të siguruar paqe të qëndrueshme, shtoi ai.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy luftëra për Nagorno Karabakun – më 1990 dhe 2020 – dhe vazhdimisht janë përplasur për kontrollin e territorit.

Tensionet janë rritur sërish muajin e kaluar, kur Azerbajxhani ka vendosur një pikë kontrolli në fillim të Korridorit të Lakinit – e vetmja rrugë që lidh Armeninë me territorin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut.

Armenia ka thënë se pika e kontrollit, e ngritur më 23 prill, është një shkelje e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Moska, i cili u ka dhënë fund luftimeve gjashtëjavore në vitin 2020.

Azerbajxhani ka thënë se e ka ngritur atë postbllok për t’i penguar furnizimet e Nagorno Karabakut me armë nga Armenia. Jerevani e ka mohuar këtë akuzë./REL


Top Channel

Azerbajxhani dhe Armenia bëjnë përparim në bisedimet për paqe
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.