Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla iu është kundërpërgjigjur dekleratave të deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj duke pyetur se çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend, transmeton KosovaNews.
“Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj.”, ka shkruar ministri Sveçla.
Ai ka thënë se takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë, në objektin që është pronë e MPB-së.
“Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme. “, është shprehur Sevçla.
Duke thënë se ne nuk kanë rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit, Sveçla ka shkruar se kjo do të vazhdojë përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces.
“Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm.
Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zbmrapsemi.”, ka shkruar Sveçla/KosovaNews/