Për grupin punues për reforma të legjislacionit zgjedhor prioritet do të jetë zbatimi i rekomandimeve dhe vërejtjeve nga OSBE/ODIHR dhe më pas të hartohet një Kod i ri Zgjedhor. Anëtarët e komisionit shpresojnë se do të mund të respektojnë afatet për të pasur ndryshime ligjore gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, shkruan PRESSonline.al
Ministri i Drejtësisë i bëri thirrje edhe një herë opozitës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE që të emërojë përfaqësuesin e saj në grup, pasiqë kjo partia njoftoi se do të përfshihet në përcaktimin e tekstit përfundimtar të kodit zgjedhor, por me kusht që në Kodin e ri zgjedhor të përfshihet propozimin për një model zgjedhor me një zonë zgjedhore.
“Ne kemi një konsensus që ky grup pune të inkorporojë të gjitha rekomandimet dhe vërejtjet nga OSBE/ODIHR. Modeli nuk është prioriteti ynë, na mbetet vetëm të kemi një tekst të ri të Kodit Zgjedhor, si dhe të futen të gjitha këto vërejtje. Kjo është detyra e parë e grupit të punës dhe e dyta është hartimi i Kodit të ri Zgjedhor”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, përcjell PRESSonline.al
Kryetari i grupit punues Aleksandar Novakovski është shprehur optimist se ky trup që drejton ai do të dalë me propozime dhe konkluzione konkrete.
“Shpresoj se do të dalim me një propozim dhe do të arrijmë t’i përmbushim afatet e përcaktuara me disa standarde evropiane, që këto ndryshime të zbatohen brenda një periudhe gjashtëmujore para zgjedhjeve”, tha ai.
VMRO-DPMNE nuk e delegoi përfaqësuesin e saj në grupin punues. Deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshoski, tha se pranojnë model zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe i bëri thirrje qeverisë që të mbështes këtë propozim.
Arbër Ademi, i cili përfaqëson BDI-në në grupin punues për reformën zgjedhore, thotë se nëse flasim për modelin dhe nëse vendosim për një njësi zgjedhore, duhet të vendosim për një prag dhe lista të hapura.
“Ka një prag prej pesë për qind dhe përvoja të tilla, por do të përmbahem nga komente të mëtejshme, duke lënë hapësirë për të diskutuar në mënyrë konstruktive brenda grupit punues”, tha Ademi.
Raporti i OSBE/ODIHR tregonte se ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2017, të miratuara me procedurë të shkurtuar, pa konsultime të gjera, bien ndesh me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në OSBE dhe rekomandojnë standardizimin e numrit të kërkuar të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur deri në një përqindje maksimale të votuesve të regjistruar në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare, por edhe të shqyrtohet ofrimi i metodave alternative për mbledhjen e nënshkrimeve, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia për frikësim.
Vitet e fundit, OSBE/ODIHR ka dhënë një numër të madh rekomandimesh për përmirësimin e procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, dhe ndër to kërkohet që Kodi Zgjedhor të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për ta harmonizuar atë brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse, për të qenë në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.
Kodi Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut u ndryshua dy herë në vitin 2021. Në prill 2021, u miratuan ndryshime për të miratuar dispozita për identifikimin biometrik të votuesve. Në shtator 2021, Kuvendi ndryshoi sërish Kodin Zgjedhor, me shumicë votash. Disa amendamente kishin për qëllim adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, duke përfshirë përbërjen dhe mandatin e përhershëm të KSHZ-së, masat mbrojtëse kundër keqpërdorimit të burimeve publike, fushatat mediatike dhe afatet për paraqitjen dhe shqyrtimin e kundërshtimeve.(PRESSonline.al)