Bashkimi Evropian ka thënë se lirimi nga detyra i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit është në kundërshtim me marrëveshjen për dialogun.
Lidhur me këtë ka reaguar këshilltari i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
Ai, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, shkroi se shkarkimi i ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.
Postimi i tij i plotë:
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.
Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës.
Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si përshëmbull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes.
Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik.