KMDLNj: Gjykata Speciale bastisi dy shtëpi në Prishtinë

featured

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka thënë se Gjykata Speciale të martën në mbrëmje ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë. Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhrin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

KMDLNj ka shtuar se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes dhe qëllimet e intervistimit.

“Gjatë bastisjes nuk ishte i pranishëm avokati shkaku se Nuhi Ahmeti nuk ka kërkuar praninë e avokatit ndërsa gjatë intervistimit do të jetë i pranishëm avokati i autorizuar nga z. Nuhi Ahmeti”, ka shtuar tutje KMDLNj.

KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të Gjykatës Speciale për të marrë njoftim zyrtar lidhur me çështjen. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

KMDLNj: Gjykata Speciale bastisi dy shtëpi në Prishtinë
|