Kurti në Ditën e të Pagjeturve kërkon nga Prokuroria e Shtetit që dëshmitë e krimeve të luftës të shndërrohen në aktakuza për përgjegjësit

featured

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 27 prillit ka bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Pas homazheve, Kurti para mediave i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, prokurorisë Speciale, që dëshmitë e krimeve të luftës të shndërrohen në aktakuza për secilin përgjegjës, në mënyrë që të njëjtit të gjykohen e të dënohen.

“Nuk ka ditë më duhur sesa 27 prilli për t’i bërë thirrje prokurorisë së shtetit që ata mijëra dëshmi që i kemi për krimet e kryera të luftës të shndërrohen në aktakuza për ata përgjegjës të cilët sikurse në Kroaci edhe në Kosovë do të mund të gjykohen e të dënohen”, ka thënë ai.

Kur pyetet se sa është optimist që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të jetë konstruktiv për personat e zhdukur dhe sa do të respektohet nga Serbia, ka thënë se pret nga BE-ja që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë.

“Ne në aneksin për zbatim të Ohrit, të 18 marsit kemi thënë se është urgjente kjo çështje. Pres që me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kurti shtoi se “kemi nevojë për drejtësi, përgjegjësi që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave”.

“Bëhet fjalë për jetën tonë që është shkëputur për gjysmë meqenëse këto krime kanë ndodhur përbrenda jetës sonë. Këto krime i kemi përjetuar vetë ne andaj është e paarsyeshme çfarëdo vonese në kohën kur koha nuk punon për neve sa i  përket dëshmitarëve që po mplaken dhe po vdesin”, shtoi Kurti.

Kurti në Ditën e të Pagjeturve kërkon nga Prokuroria e Shtetit që dëshmitë e krimeve të luftës të shndërrohen në aktakuza për përgjegjësit
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.