1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Rusia bombardon gabimisht qytetin e saj, hapet krateri 20 metra

Rusia bombardon gabimisht qytetin e saj, hapet krateri 20 metra

featured

Një shpërthim masiv tronditi qytetin rus të Belgorodit, por edhe më shumë u shokuan banorët e tij kur mësuan se nuk ishte ushtria ukrainase që i kishte goditur, por vetë trupat e Moskës.

Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se një avion i saj luftarak i tipi SU 34 ka bombarduar aksidentalisht qytetin e ndodhur në kufi me Ukrainën. Nga sa shpjegoi guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, shpërthimi ka krijuar një krater rreth 20 metra të gjerë në qendër të qytetit.

Dy gra u plagosën e disa ndërtesa u dëmtuan nga sulmi. Incidenti ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, sipas agjencive ruse të lajmeve. Autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim mbi ngjarjen.

Pamjet në rrjetet sociale treguan banesat e dëmtuara nga shpërthimi, e në një foto një makinë shihet mbi çatinë e një ndërtese. Belgorodi ndodhet në veri të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkivit. Banorët e zonës kanë jetuar me frikën e bombardimeve, që prej fillimit të agresionit rus ndaj vendit fqinj shkurtin e vitit të kaluar.

Arsyeja është se për të arritur në Ukrainë, avionët luftarakë rusë shpeshherë duhet të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të këtij qyteti. Media shtetërore ruse nuk sqaroi se cfarë lloj municionesh ranë mbi Belgorod mbrëmjen e së enjtes.


Top Channel

Rusia bombardon gabimisht qytetin e saj, hapet krateri 20 metra
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.