Pothuajse 200 mijë persona të moshës 25 deri në 54 vjeç nuk janë përfshirë në tregun e punës. Autoritetet thonë se megjithatë ato kanë aktivitete tjera, ose punojnë sezonalisht jashtë vendit, kështu që nuk ia vlen të kërkojnë punë në Maqedoninë e veriut, informon PRESSonline.al
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), rreth 190 mijë persona në Maqedoni nga mosha 25 deri në 54 vjeç nuk janë të punësuar, as nuk kërkojnë punë, përkatësisht klasifikohen si popullatë joaktive. Sipas të dhënave të fundit të ESHS, që janë të vitit 2021, janë ende 130 mijë persona të tillë të moshës 55 deri në 64 vjeç dhe mbi 20 mijë nën moshën 24 vjeç, të cilët nuk janë nxënës apo studentë. Janë gjithsej 340 mijë persona më të rinj se 64 vjeç, të cilët nuk janë të përfshirë në tregun e punës, pra nuk kanë punësim, por as që kërkojnë punë.
Biznesmenët janë ankuar prej kohësh për mungesën e punëtorëve dhe tashmë qeveria ka nisur të mendojë për importimin e fuqisë punëtore nga jashtë për të plotësuar mungesën. Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se përveç rreth 120 mijë të papunëve, janë trefishuar ata që nuk kërkojnë fare punë.
Të dhënat e agjencisë evropiane të statistikave Eurostat tregojnë se Maqedonia ka shkallë shumë më të ulët të aktivitetit të popullatës punëtore sesa Bashkimi Evropian (BE). Sipas të dhënave të tyre, më pak se 79 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut të moshës 25 deri në 54 vjeç punojnë ose kërkojnë punë. Mesatarja në BE është pothuajse 85 për qind, dhe në vende të tilla si Lituania, Suedia, Zvicra apo Sllovenia, mbi 90 për qind e njerëzve të aftë për punë nën moshën 54 janë të përfshirë në tregun e punës.(PRESSonline.al)