Kthimi i Messit te Barça, kontratë dyvjeçare dhe “boom” të ardhurash

featured

Bordi i drejtorëve, i kryesuar nga presidenti Joan Laporta, ka synim të kthejë në “Camp Nou” Leo Messin.

Një vullnet që ushqehet nga fakti që “ylli” argjentinas nuk po rinovon me PSG-në (kontrata i përfundon më 30 qershor).

Përveç kësaj, edhe trajneri i Barçës, Xavi Hernández, mezi e pret kthimin e Messit dhe flet rregullisht me të.

Xavi mendon aq pozitivisht sa po e planifikon sezonin e ardhshëm duke llogaritur Leon në skuadrën e tij.

Te Barcelona besojnë se kthimi i “Pleshtit” do të rriste moralin te tifozët si dhe do të ishte një burim i madh të ardhurash.

Messi mund të gjenerojë 25 për qind të të ardhurave të klubit. Disa parashikime të brendshme, më të guximshmet, madje besojnë se kjo përqindje mund të arrijë në 33%, pra një e treta e asaj që do të fitohej do të ishte falë Messit.

Para pandemisë, ndikimi i Messit te të ardhurat e Barçës ishte nga 250 deri 300 milionë euro në vit.

Këtij pretendimi komercial, veç kësaj, tani duhet t’i shtohet edhe statusi i ri i Messit si kampion bote me Argjentinën, që Leo më në fund mundi ta arrinte në Botërorin e kaluar, në Katar.

Diçka që PSG e ka pasur të vështirë ta kapitalizojë, sepse mes arsyeve të shumta është fakti që mposhti Francën e ikonës Mbappé.

Plani i Barçës është të nënshkruajë me Messin për një ose dy vjet.

Burime nga klubi i Barçës pranojnë se kthimi i Messit do të ishte një sfidë e madhe dhe, nëse bëhet mirë, përfitimi ekonomik mund të jetë stratosferik./ SuperSport


Top Channel

Kthimi i Messit te Barça, kontratë dyvjeçare dhe “boom” të ardhurash
|