Drejtoria doganore njoftoi se të premten (14 prill) ekipet e saj kanë parandaluar hyrjen e paligjshme të pesë emigrantëve nga Kongoja dhe Afganistani në vend, transmeton Portalb.mk.
Migrantët ishin fshehur në një rimorkio për pjesë rezervë në një kamion me targa të Serbisë, ndërsa janë zbuluar nga doganierët gjatë kontrollit në pikën kufitare “Bogorodica”.
“Me datë 14.04.2023, pesë emigrantë pa dokumente identifikimi janë gjetur në pikën kufitare doganore “Bogorodica”, gjatë kontrollit të një automjeti mallrash me targa të Serbisë të regjistruar për transit. Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit të kryer me skaner celular, pesë personat me origjinë nga Kongoja dhe Afganistani janë gjetur në pjesën e rimorkios të destinuar për pjesë këmbimi”, njofton Drejtoria.
Personat më pas i janë dorëzuar Departamentit për Çështje Kufitare dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) për procedurë të mëtutjeshme.