1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Palët luftuese në Sudan pranojnë armëpushim 24-orësh prej mbrëmjes, përplasjet vazhdojnë (fotot)

Palët luftuese në Sudan pranojnë armëpushim 24-orësh prej mbrëmjes, përplasjet vazhdojnë (fotot)

featured

Ushtria e Sudanit dhe grupi rival “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë kanë pranuar sot një armëpushim 24-rësh duke nisur nga ora lokale 18.00 (ora shqiptare 17.00).

Zhvillimi vjen pas raportimeve se rreth 180 njerëz janë vrarë që prej nisjes së përplasjeve të rënda të armatosura të shtunën.

Megjithatë teksa afron ora e armëpushimit të deklaruar luftime të rënda vijonin të dëgjoheshin, raportonte nga kryeqyteti Khartoum, gazetarja e rrjetit Al Jazeera, Hiba Morgan.

“Kemi parë të dielën dhe sot që kanë dështuar dy tentativa armëpushimi. Njerëzit kanë dalë nga vendluftimet e tyre dhe janë qëlluar ose goditur nga copat e shpërthimeve të artilerisë së të dyja palëve”, tha Morgan.

“Tani që jemi më pak se një orë nga armëpushimi i deklaruar, avionët e ushtrisë sudaneze fluturojnë mbi zonën qendrore të kryeqytetit Khartoum. Dëgjojmë gjithashtu artileri,” shtoi ajo.
Germain Mëehu, zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Sudan, tha se situata humanitare është shumë e rëndë.

“Njerëzit nuk mund të dalin, nuk kanë akses për ushqim dhe mjekime, ka njerëz të bllokuar në aeroport dhe në markete”, tha ai.

“Në disa zona të Khartoum nuk ka ujë të rrjedhshëm dhe energji elektrike. Njerëzit përgjegjës për këto shërbime nuk mund të kryejnë punën e tyre prej luftimeve”, tha Mvehu, duke shtuar se as anëtarët e grupeve humanitare nuk mund të lëvizin prej mungesës së sigurisë.