Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka urdhëruar destabilizimin e veriut në kohën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për KTV-në të shtunën, Rashiq ka thënë se Vuçiqi është i gatshëm ta përdorë çdo serb vetëm për të arritur qëllimin e tij politik.
“Në vitet 2015-2016 kam qenë prezent në dy ose tri takime ku udhëheqësi i takimeve ka qenë presidenti Vuçiq. Dhe, atje, mesazhet e takimeve, e kemi atë pjesën zyrtare për kamera dhe atë pjesën jo zyrtare. Duke e ditur që takimi ka ndodhur tash, unë ju garantoj që njerëz prezentë atje kanë marrë urdhra të sakta se si ta pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Fatkeqësisht, kjo na sjell në një pozitë ku prapë do të kemi obstruksione në terren”, ka thënë Rashiq për takimin që së fundmi Vuçiqi mbajti me serbë të Kosovës në Rashkë.
Rashiq ka thënë se vendimi që Lista Serbe t’i bojkotojë zgjedhjet lokale, pavarësisht Marrëveshjes së Ohrit, është tregues që “Beogradi zyrtar në këtë moment me përfaqësuesit që kemi atje, do të luftonte deri në serbin e fundit të Kosovës kundër sistemit kosovar edhe pse është paradoksale që po e them këtë”
Vendimin për bojkot ai e ka cilësuar si sakrifikim të serbëve në veri për interesa të Beogradit. Madje ai ka thënë se as nuk ka paralajmërim për ndryshim të gjendjes aktuale.
Rashiqi ka shprehur drojë se do të ketë obstruksione në të gjitha nivelet që është e mundshme.
Në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, janë rritur incidentet në veri. Janë djegur një numër automjetesh, pasi targat ilegale të të cilave janë kthyer në RKS. Tri sosh janë djegur edhe të shtunën. E pikërisht shkaku i vendimmarrjes së Qeverisë për targat ilegale, Lista Serbe braktisi institucionet qendrore dhe lokale, pas të cilit hap u shpallën zgjedhjet e parakohshme për komunat e veriut. Zgjedhjet ishte paraparë fillimisht të mbaheshin në dhjetor, por u shtynë me kërkesë të ndërkombëtarëve.
Lista Serbe, por edhe autoritetet në Serbi, kanë theksuar se rikthimi në institucione do të bëhet tek pas themelimit të Asociacionit.