1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Nxori dokumentet e Pentagonit, 21-vjeçari para Gjykatës: Deshi të mburrej!

Nxori dokumentet e Pentagonit, 21-vjeçari para Gjykatës: Deshi të mburrej!

featured

Del sot përpara gjykatës 21-vjeçari i arrestuar në SHBA për rrjedhjen e dokumenteve sekrete ushtarake të Pentagonit të lidhura me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera madhore të sigurisë kombëtare amerikane.

Veprimi i Jack Teixeira, anëtar i Gardës Kombëtare te Masachusetsit ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet sensitive. I riu u prangos në shtëpinë e tij nga efektivët e FBI-së, përpara të cilëve nuk bëri rezistencë.

Akuzat ndaj tij do të ngrihen në bazë të një dispozite të Ligjit për Spiunazhin, që e konsideron krim marrjen ose transmetimin e informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare.

 “Agjentët e FBI-së e ndaluan Teixeiran pa asnjë incident. Ai do të akuzohet për publikimin e paautorizuar të informacioneve sekretë të mbrojtjes kombëtare. Hetimi po vazhdon. Për të dhëna të tjera, do t`ju njoftojmë”, ka thënë prokurori i përgjithshëm SHBA Merrick Garland.

Dokumentet me mbishkrimin “Top Secret”, u shfaqen për herë të parë në platformën e komunikimeve private Discord. Persona që kishin komunikuar aty me 21-vjeçarin thanë se ai më shumë ishte motivuar për gjestin e tij nga dëshira për të shitur mend sesa nga ideologjia.

Dëmi i shkaktuar megjithatë, ishte i madh sipas zyrtarëve amerikanë. Kjo është rrjedhja më e rëndë prej vitesh e informacioneve të zbulimit të profilit më të lartë dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.

Një tjetër pyetje qe shtrohet gjithashtu është sesi ka mundësi që shkelja, të cilën Pentagonit vetë e përshkroi si një “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”, mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.

Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake. Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të “analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen episode të tilla në të ardhmen”.


Top Channel

Nxori dokumentet e Pentagonit, 21-vjeçari para Gjykatës: Deshi të mburrej!
|