1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Ndalet ekstremi i djathtë grek/ Miratohet ligji që ndalon pasardhësen e “Agimit të Artë”

Ndalet ekstremi i djathtë grek/ Miratohet ligji që ndalon pasardhësen e “Agimit të Artë”

featured

Në seancën e tij të fundit parlamenti grek ka votuar me shumicë votash një  amendament me anë të të cilit synohet të ndalohet forca e ekstremit të djathtë Partia Kombëtare – Grekët të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Bëhet fjalë për një parti që u themelua dy vjet më parë nga ish-deputeti Ilias Kasidiaris, i cili aktualisht po vuan një dënim me më shumë se 13 vjet burg, për rolin e tij drejtues në partinë neonaziste Agimi i Artë, që u shpall organizatë kriminale në vitin 2020 me akuza për  vrasje, dhunë raciste dhe pastrim  parash.

Projektligjin e kanë votuar deputetët e partisë qeveritare dhe socialistët grekë. Partia  më madhe opozitare Syriza dhe partitë e tjera  si dhe disa ekspertë kushtetues kanë abstenuar duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efikasitetin e legjislacionit dhe kanë akuzuar qeverinë për ndërhyrje në pushtetin gjyqësor.

 “Beteja kundër fashizmit është një betejë e përditshme dhe zhvillohet atje jashtë. Kjo betejë nuk luftohet apo fitohet nga amendamentet  tuaja. Ato do të bëjnë të kundërtën”, ka thwnw lideri i Syriza Aleksis Tsipras.

 “Një zhvillim i trishtë ishte edhe një herë refuzimi i SYRIZA-s për të bashkëpunuar në një gamë demokratike kundër organizatave kriminale. Edhe pse u shpjegua domosdoshmëria e vendimit, SYRIZA u mbrojt pas preteksit se qeveria ishte vonuar dhe nga ana tjetër argumentoi se kompetenca duhet t’i jepej trupës së Gjykatës së Lartë”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou

Qeveria greke kishte miratuar para një muaji  legjislacionin që ndalonte Partinë Kombëtare -Grekët të kandidonte , me arsyetimin se lideri i saj ishte dënuar për vepra të rënda penale, por Ilias Kasidhiaris emëroi nga burgu ,ku vazhdon për më se dy vjet të komunikojë me mbi 120000 mbështetës nëpërmjet kanalit të tij në Youtube, një prokuror në pension si drejtues të ri, duke anashkaluar amendamentin.

Një vendim përfundimtar  për këtë çështje pritet të marrë në Gjykata e Lartë, vetëm 3 javë para zgjedhjeve parlamentare të 21 majit, ndërkohë që nënkryetari i saj dha dorëheqjen të hënën me argumentin se qeveria po ndërhynte duke u përpjekur të diktonte formatin e gjyqtarëve që do të vendosin ndalimin e kandidimit të partisë ekstremiste në zgjedhje.

Sondazhet parashikojnë se Partia Kombëtare -Grekët mund të fitojë rreth 4% të votave dhe mund të hyjë në parlament duke ndikuar në përqindjet përfundimtare të partive më të mëdha.

 


Top Channel

Ndalet ekstremi i djathtë grek/ Miratohet ligji që ndalon pasardhësen e “Agimit të Artë”
|