​Abazoviç i përgjigjet Kurtit: Kombi malazez nuk shuhet

featured

Kryeministri malazez Dritan Abazoviç duke iu përgjigjur shqetësimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti para zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi për kandidatin fitues të cilësuar si pro-rus, deklaroi se kombi malazez do të jetë edhe më i fuqishëm.

Kurti kishte shprehur shqetësimin se me fitoren e Jakov Millatoviç kombi malazez do të dobësohej e shkonte drejt shuarjes.

I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abazoviç refuzoi të hynte në polemika me Kurtin por tha se parashikimet e kryeministrit të Kosovës nuk do të ndodhin.

“Kam respekt për kryeministrin e Kosovës dhe respektoj mendimin e çdokujt. Nuk dua të hyj në polemika. Mendoj se Mali i Zi është shumë shtet më i organizuar dhe më i fuqishëm se sa mund të mendojë dikush se me një palë zgjedhje mund ta ndryshojë. Gjithashtu mendoj se kombi malazez jo se nuk do të jetë por do të jetë më i fuqishëm kur t’i ketë institucionet më të mira kur të largohen njerëzit që kanë qenë të përfshirë në korrupsion”, deklaroi Abazoviç.

Abazoviç madje theksoi se është i hapur për një mbledhje të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, pavarësisht se ku do të mbahej ajo në Prishtinë apo Podgoricë.

“Absolutisht Qeveria e Malit të Zi është e gatshme për një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Kosovës. E vetmja gjë që mund ta pengojë janë zgjedhjet që do të mbahen. Nëse do të jemi prap në krye të ekzekutivit, ose nëse anulohen zgjedhjet, jam i gatshëm ta bëjmë mbledhjen e përbashkët, kështu do të jepnin edhe mesazhin e bukur të bashkëpunimit”, tha ai.

Abazoviç ndër të tjera ka folur edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Ai është shprehur kjo marrëveshje ka një implikim, siç tha ai, jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon.

“Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon. E kuptoj se është kjo çështje në mes të dy shteteve dhe ne nuk kemi ambicie që të hyjmë aty dhe të përzihemi, as nuk na takon”, u shpreh ai.

Tutje, Abazoviç tha se do të ishte shumë mirë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare sa më shpejtë. Sipas tij, njohja e Kosovës nga Serbia është e paevitueshme. Ai përsëriti edhe njëherë ofertën që një raund të dialogut ta mirëpresë në njërin prej qyteteve malazeze nëse ka dakordim nga palët dhe lehtësuesi i dialogut Bashkimi Evropian.


Top Channel

​Abazoviç i përgjigjet Kurtit: Kombi malazez nuk shuhet
|