Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se çdo konflikt eventual me Kosovën do të jetë konflikt me NATO-n.
“Ju gëlltisni atë që duhet, bëni atë që duhet për popullin. Ju nuk e zgjodhët për të mbajtur zgjedhje për tri ditë, por për të bërë atë që është më e mira për vendin tuaj. Çdo konflikt është konflikt me NATO-n e jo me Prishtinën. Kjo duhet pasur parasysh”, tha Vuçiq, raporton “B92”.
Vuçiq ka folur edhe për planet e Serbisë. Tha se nuk e kanë plan të anëtarësohen në NATO.
“Ne nuk do të anëtarësohemi në NATO, ne nuk duam të anëtarësohemi në asnjë aleancë ushtarake. Ne duam të mbrojmë vetë vendin tonë, qiellin tonë”, tha Vuçiqi.
Ai po ashtu është deklaruar në lidhje me pretendimet nga dokumentet që kanë rrjedhur nga Pentagoni, se Serbia është pajtuar ta armatosë apo ka armatosur Ukrainën.
“Serbia nuk ka eksportuar dhe nuk do të eksportojë armë në Ukrainë. Ne nuk i shesim municione as Ukrainës e as Rusisë”, tha Vuçiq.
Gjatë takimit të Vuçiqit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ku morën pjesë edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë, është dalë me pesë propozime për Qeverinë serbe.
Është kërkuar themelimi “urgjent dhe i pakushtëzuar i Asociacionit”.
“Është parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtejshëm në dialog”, është thënë në propozimin.
Po ashtu është kërkuar që zgjedhjet të mbahen pas themelimit të Asociacionit.
Po ashtu thuhet se “Serbia do të marrë gjitha masat ekonomike dhe politike për ta siguruar funksionimin normal të qytetarëve në Kosovë e M.”.