Sveçla: Kemi identifikuar personat që sulmuan gazetarin Syla

featured

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 12 prill se “pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës, tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit (Valon) Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”.

Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi. Ai thuhet se u sulmua nga tre persona. Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Më heret, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se ka nisur “hetimet intensive” për të sqaruar dhe identifikuar të dyshuarit që sulmuan gazetarin Valon Syla të hënën mbrëma.

Prokuroria tha se sulmi ndaj Sylës është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”.

Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, tha se sulmi është raportuar se ka ndodhur pas orës 22:00 në rrugën Ilir Durmishi në Prishtinë.

Policia tha se të dyshuarit ende mbeten të panjohur për autoritetet e rendit dhe se ata pas sulmit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, duke kërkuar arrestim të menjëhershëm të kryesve të këtij sulmi.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, u tha në reagimin e AGK-së.

Sulmi ndaj Sylës është dënuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla nga të paktën tre persona, që e lanë atë të gjakosur dhe me lëndime në kokë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale dhe të sjellin kriminelët para drejtësisë”, shkroi kjo qendër në Twitter.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga autoritetet që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë.

“Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike, të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari nuk duhet të lejojmë që asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, që e ka cilësuar si “shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut”, duke theksuar se akte të tilla nuk mund “të tolerohen kurrsesi në një shoqëri demokratike”.

“Ata [gazetarët] kanë të drejtën e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censurë apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Gazetari Syla kishte qenë cak i një sulmi tjetër fizik në dhjetor të vitit 2020.

Ndryshe, në raportin për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch për vitin 2022, u tha se në Kosovë u regjistruan 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë.

Sipas HRW-së, në shumicën e rasteve gazetarët janë përballur me ngacmime, kërcënime dhe frikësime në platformat e mediave sociale. Në raport, po ashtu, u tha se hetimet penale për këto raste ishin të ngadalshme.


Top Channel

Sveçla: Kemi identifikuar personat që sulmuan gazetarin Syla
|