Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të debatit për ndryshimet kushtetuese në vend, i pyetur nga Portalb.mk në lidhje me propozimin për zëvendësimin e 20 përqindëshit me gjuhën shqipe në kushtetutë, deklaroi se kjo nuk e shqetëson aspak pasi është diçka e natyrshme.
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.
Presidenti i vendit u shpreh se do përkrahte një gjë të tillë.
“E kam thënë shumë herë. Mendoj se e kam thënë këtë dy ose tre vjet më parë. Nuk më shqetëson fare, do të isha i pari që do ta mbështesja sepse mendoj se është një gjë normale e natyrshme. Pse identitetin e pacenueshëm dhe të qartë për të gjithë, të një etnie, duhet ta fshehim pas numrave?“, tha Pendarovski.