Edhe sot në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar sërish dëshmia e dëshmitares së parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sikurse dy ditë më parë edhe të enjten, dëshmitarja e Prokurorisë po dëshmon në seancë të mbyllur për publikun.
Nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata kanë thënë se seancat e mërkurës dhe të enjtes do të mbahen të mbyllura në shumicën e kohës.
Seancat në Speciale janë përcjellë në vazhdimësi me ndërprerje të transmetimeve sa herë që është vlerësuar se ekziston rreziku për identifikimin e dëshmitarëve. Për këtë shkak është zbatuar vonesa prej 45 minutash në transmetim të tyre. Seanca e së mërkurës nis në orën 09:00.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.
Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen se morën pjesë drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë e Shqipëri.
Aktakuza përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi i mohuan akuzat në fillim të procesit gjyqësor, përderisa mbrojtja, në shpalosjen e fjalës hyrëse, pretendoi se UÇK-ja nuk pati organizim hierarkik të tillë që parashihte që anëtarët e Shtabit t’i kontrollonin zonat operative e komandat lokale.