1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Podujeva e miraton kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit serb në Kosovë

Podujeva e miraton kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit serb në Kosovë

featured

Kuvendi Komunal i Podujevës e ka miratuar kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol përkujtimor i gjenocidit serb në Republikën e Kosovës.

Kryesuesi Hilmi Hoxha, ka thënë se këtë kërkesë e kanë përkrahur shumë komuna, ndërkohë që kjo lule është simbol i gjenocidit edhe në shumë shtete të botës.

Mbështetje i kanë dhënë të gjitha partitë politike, përfaqësuese në Kuvend.

“Pas kërkesës së Qendrës Gjenodici në Kosovë – Plagë e Hapur që simboli i lulëkuqes me katër petale dhe me ngjyrën e zezë në mes të miratohet nga institucionet e ndryshme në Kosovë, në këtë rast edhe nga komuna jonë si simbol i gjenocidit në Kosovë, ne duke e ditur rëndësinë e simbolikës, ngjarjeve të së kaluarës, veprimtarisë kriminale të Serbisë me qëllim zhdukjen e një etnie me gjenocid dhe spastrim e sidomos ngjyrën kuq e zi që do ta ketë simboli që janë ngjyrat e popullit dhe kombit shqiptar ne Grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes e mbështesim dhe e mirëpresim këtë kërkesë”, ka thënë Florent Hasani nga LVV.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Valon Demolli, ka thënë se janë pro kësaj kërkese, shkruan koha.

Ndërkohë, kryesuesi i KK-së, Hilmi Hoxha e ka paraqitur për miratim edhe një deklaratë për këtë.

“Kuvendi i Komunës së Podujevës përkrah, respektivisht mbështet kërkesën e Qendër Gjenodici në Kosovë-Plagë e Hapur që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i viktimave në Kosovë dhe kësisoj lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë. Kuvendi i Komunës së Podujevës konsideron se katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar paraqesin qartë katër format aktive, gjenocidale që Serbia i zbatoi në Kosovë, të cilat janë: vrasjet, dhunën seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve me përkatësi etnike dhe identitetin shqiptar”, ka thënë Hoxha.

Por, me tekstin në tërësi nuk është pajtuar këshilltar i LDK-së, Naim Çunaku.

“Te deklarata vërtetë duhet me kanë të kujdesshëm dhe mua më bëri i përshtypje ‘Kuvendi i Komunës konsideron’, a e ka atë simbolikë apo ne po ia mveshim. Ne po e miratojmë lulen dhe po ia shtojmë komentin. Kur the shkatërrimin e shtëpive, unë e kisha plotësua me shkatërrimin e pronës. Ai që e ka ba propozimin e ka bë se çka paraqet ajo lule” ka thënë ai.

Deklarata është miratuar njëzëri me ndryshimet e paraqitura nga këshilltari Çunaku.

Podujeva e miraton kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit serb në Kosovë
|