Plagoset një serb, pezullohen katër policë të Kosovës për incidentin

featured

Policia e Kosovës ka njoftuar për përfshirjen e katër zyrtarëve policorë në plagosjen e qytetarit serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Leposaviç.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, sqaron njoftimi.

Tutje thuhet se zyrtari në fjalë është suspenduar, bashkë me tre të tjerë që dyshohen për përfshirje në rast. “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

Rasti tashmë ka kaluar në duart e Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë njofton Policia.

Milan Jovanoviç është plagosur një natë më herët pranë urës së Bistricës në Leposaviç.

Ai është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Spitalin e Mitrovicës së Veriut. Për plagosjen e tij ai ka fajësuar njësinë speciale të Kosovës pasi që postblloku ndodhet afër vendit ku ai është plagosur. Lista Serbe dhe shefi i Zyrës për Kosovës, Petar Petkoviç fajësuan edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për sikurse thonë ata represion ndaj serbëve dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukseli, që sipas tyre nuk lejojnë stacionimin e Policisë së Kosovës në Veri.

Policia e Kosovës thotë se gjatë natës së mbrëmshme nuk ka shkëmbyer zjarr siç pretendohet. “Vlen të potencojmë dhe njëherësh të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ata bëjnë të ditur se rreth orës 23:48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit. Policia thotë se ka marrë veprimet e menjëhershme me nisjen e hetimeve për zbardhjen e rastit.

Lista Serbe ka reaguar për plagosjen e Milan Jovanoviç dhe kërkojnë publikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në atë zonë.

“Forcat Speciale të Kurtit, të cilat janë ilegalisht në veri të Kosovës, edhe një herë derdhën gjak serb dhe tentuan të vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviç nga Zveçani në Urën e Bistricës. Këto postblloqe famëkeqe, ilegale e forcave speciale shqiptare është bërë simbol i represionit të regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve, të cilët dy herë tentuan të vrasin serb. Zemërimi shtesë i qytetarëve është shkaktuar nga dija se përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve po fshihen nga përfaqësuesit më të lartë të autoriteteve në Prishtinë dhe ministrin kompetent Sveçla, i cili me sa duket i mbështet aktivitetet ilegale të këtyre njësive”.

Lista Serbe ka kërkuar edhe nga ndërkombëtarët të dënojnë siç thonë ata sulmin dhe represionin ndaj serbëve.

Në anën tjetër, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po shkelë marrëveshjet e Brukselit, pasi që pretendon se policia e Kosovës nuk duhet të jetë prezente në veri të vendit.


Top Channel

Plagoset një serb, pezullohen katër policë të Kosovës për incidentin
|