Mospjesëmarrja e dy partive opozitare shqiptare Lëvizjes BESA dhe Alternativës në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese është refuzim që i përket politikës ditore, kështu vlerëson në një prononcim për PRESSonline.al, analisti politik Besim Nebiu.
Sipas tij, bazuar në deklaratat e këtyre dy partive politike se do ti japin mbështetje ndryshimeve kushtetuese, mos pjesëmarrja e tyre në grupet e punës është çështje e dorës së dyte.
“Të dy këto parti janë prononcuar se do të votonin për ndryshimet kushtetuese, në rast të ‘hapjes’ së Kushtetutës, prandaj pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në grupe të punës, më duket se është çështje e dorës së dytë, dhe më shumë i përket politikës ditore dhe qërimit të hesapeve ndërmjet partive në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Nebiu për PRESSonline.al
Ndryshe, përveç Lëvizjes BESA dhe Alternativës, përfaqësues të saj në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë nuk kanë caktuar edhe opozitarja VMERO-DPMNE, Levica, Partia Socialiste e Maqedonisë së Veriut, si dhe dy tre parti me të vogla që në parlament përfaqësohen me nga një deputet.(PRESSonline.al)