1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Begaj në takim me Escobarin, e falënderon për mbështetjen që ShBA-ja i dha Kosovës në dialog

Begaj në takim me Escobarin, e falënderon për mbështetjen që ShBA-ja i dha Kosovës në dialog

featured

Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor ishin sot në qendër të takimit të të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, Begaj, nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në mënyrë të veçantë, Begaj vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të tij”, shkroi Begaj.

Duke u ndalur te sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Begaj nënvizoi gjithashtu se “falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga Bashkimi Evropian, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni”.

Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë.

Begaj në takim me Escobarin, e falënderon për mbështetjen që ShBA-ja i dha Kosovës në dialog
|