Tirana dhe Partizani marrin “arratinë”, në garë për të “veshur” kryeqytetin

featured

Kampionati shqiptar është futur në fazën e fundit, që do të përcaktojë dhe verdiktet përfundimtare.

Skuadrat janë me laps e me letër në dorë, duke bërë llogaritë për objektivat e tyre, teksa të 10 skuadrat kanë një qëllim për të arritur në këto 8 javë. Krahas mbijetesës dhe zonës europione që do të jetë e ashpër me gjasa deri në javën e fundit, gara për titull ka marrë një rrugë më të qartë.

Dy skuadrat e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani ndahen nga vetëm 2 pikë me njëra-tjetrën, ndërkohë që janë shkëputur nga Egnatia e vendit të tretë. Rrogozhinasit shohin “Demat” 6 pikë larg, ndërsa vendi i parë është në një diferencë prej 8 pikësh, çka e bën të vështirë që të besuarit e Edlir Tetovës të mendojnë për titullin.

Tirana dhe Partizani duket se do të garojnë deri në fund për të marrë trofeun më të rëndësishëm në vend, ndërsa duket e vështirë për të kuotuar njërën prej këtyre dy ekipeve si më favorite. Tirana është kampione në fuqi, ndërsa Partizani synon që të rikthehet tek titulli pas 4 vitesh, për të marrë të 17-tin trofe të Superiores.

Në tre ndeshjet e mëparshme, Partizani ka fituar dy ndeshje, ndërsa një sfidë ka përfunduar në favor të ekipit të Orges Shehit, ndaj derbi i katërt mund të jetë përcaktues, por pritshmëritë janë maksimale se titulli mund të sjellë emocione deri në javën e fundit, me Tiranën dhe Partizanin që do të kenë një duel interesant, për të veshur kryeqytetin me ngjyrat e kampionëve./SuperSport


Top Channel

Tirana dhe Partizani marrin “arratinë”, në garë për të “veshur” kryeqytetin
|