Plagoset me armë zjarri një person në veri të Kosovës

featured

Një person është plagosur mbrëmë me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Policia përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 23:48, megjithatë nuk dihen ende motivet.

“Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.

Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”, ka bërë të ditur policia.

Policia e Kosovës, ka theksuar se është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

“Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.

Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhet në njoftim.

Bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendrën spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.


Top Channel

Plagoset me armë zjarri një person në veri të Kosovës