Ndryshimet kushtetuese, BGNES analizon: Në grupin punues ka përfaqësues të shkollave jugosllave dhe serbe, por jo edhe të bullgarëve në Maqedoni

featured

Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut është kushti më i lehtë i kornizës negociuese me Bashkimin Evropian, vlerëson agjencia bullgare e lajmeve BGNES në analizën e saj mbi ndryshimet kushtetuese në vend dhe përbërjen e grupit të ekspertëve që do të punojë në përcaktimin e amendamenteve. Në të njëjtën kohë, agjencia në analizë thekson se grupi punues do të ketë “përfaqësues të shquar të shkollave juridike jugosllave dhe serbe, por nuk do të ketë përfaqësues të bullgarëve në Maqedoni”, përcjell PRESSonline.al

Sipas agjencisë, “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes u bë bazë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë.

“Përfshirja e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës është një element kyç për vazhdimin e negociatave të vendit me BE-në, por jo i vetmi, teksti thekson se shumica e 2/3 në parlament është e nevojshme për amendamentet kushtetuese, të cilat aktualisht duken të paarritshme për shkak të ‘pozicionit të VMRO-DPMNE-së’. Se a do të ndodhë kjo mbetet për t’u parë, por presioni mbi VMRO-DPMNE-në nga jashtë është i tillë që vështirë se do të ketë një rezistencë të gjatë”, thuhet në analizë.

Ndër të tjera, në analizë, po ashtu thuhet se propozimi francez përmban edhe elementë të tjerë kyç që duket se janë nënvlerësuar, neglizhuar ose plotësisht të shtypur nga autoritetet në Shkup.

“Kuadri i negociatave evropiane, për shembull, i referohet shprehimisht respektimit të Traktatit të Miqësisë të lidhur me Bullgarinë në vitin 2017 dhe më konkretisht zbatimit të protokolleve vjetore dypalëshe që dalin nga kjo marrëveshje që sigurojnë ekzekutimin e saj. Në dy protokollet e disponueshme deri më tani, nga viti 2018 dhe 2020, shfaqen detyrime të shumta specifike nga pala maqedonase që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, që kërkojnë një angazhim të qartë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes në Maqedoni. Deri më tani asnjë nga kushtet e mësipërme nuk është plotësuar, por në vitin e fundit kemi qenë dëshmitarë të një fushate të paprecedentë agresioni, dhune dhe urrejtjeje ndaj komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, me shembuj të shumtë”, shtohet në analizën e agjencisë.(PRESSonline.al)

Ndryshimet kushtetuese, BGNES analizon: Në grupin punues ka përfaqësues të shkollave jugosllave dhe serbe, por jo edhe të bullgarëve në Maqedoni
|