Konflikt i ri në Ballkan?! Osmani paralajmëron Perëndimin: Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën

featured

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.

Në një intervistë për “The Sun Online”, për të folur për situatën në Ballkan, Osmani u shpreh se Aleksandar Vuçiç është “thellësisht i lidhur” me Putinin dhe se Serbia synon të marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë.

Unë besoj se ai po tregon qëllimin e tij. Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan. Dhe gjuha që përdoret nga disa politikanë serbë është gjithashtu jashtëzakonisht e ngjashme me komentet e Putinit për Ukrainën”- ka deklaruar Osmani, duke shtuar se i ka kërkuar Perëndimit që të vazhdojë të mbështes Kosovën, pasi një konflikt në Ballkan do të destabilizonte edhe më tej një Evropë tashmë të brishtë.

“Ky është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju Jork, në Washington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë një Evropë e destabilizuar”, u shpreh Osmani për “The Sun Online”.

Më tej, udhëheqësja kosovare ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, duke theksuar se forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në shkaktimin e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake.

“Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe ka kryer krime, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë në veri”, ka thënë ajo.

E ndalur tek Plani Evropian, Osmani u shpreh absolutisht e zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje. Sipas presidentes, njohja reciproke është zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë. Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku ata të kuptojnë se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë, ne nuk do të kthehemi, kjo nuk do të ndryshojë”, ka deklaruar Osmani.


Top Channel

Konflikt i ri në Ballkan?! Osmani paralajmëron Perëndimin: Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën