1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Veliaj: Mandatin e ardhshëm, të gjithë kontenierët e mbetjeve në zonën e qendrës do të futen nëntokë

Veliaj: Mandatin e ardhshëm, të gjithë kontenierët e mbetjeve në zonën e qendrës do të futen nëntokë

featured

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar disa nga pikat kryesore të planit të ardhshëm 5-vjeçar të pastrimit të qytetit, ku një nga risitë është futja nëntokë e të gjithë kontenierëve të mbetjeve në qendër.

Teknologjia e re, e cila po kryhet në partneritet me Bashkinë e Veronës dhe të Viçencës, do të mundësojë një qytet edhe më të pastër. Ai siguroi se shërbimi i pastrimit do të ofrohet me të njëjtën cilësi sin ë qendër, edhe në periferi.

“Sot qytetarët kërkojnë të njëjtën pritshmëri dhe të njëjtin standard deri në periferi të Tiranës, kur dikur plehrat nuk mblidheshin fare. Makina e pastrimit vinte një herë në 7 ditë. Sot vjen 5-7 herë në javë, deri edhe në fshatin më të largët të Tiranës, për t’u siguruar që i njëjti shërbim, e njëjta cilësi, i njëjti standard që ofrohet në ish Bllok, të ofrohet edhe në periferinë më të largët, sipas frekuencës të mbetjeve që prodhohen”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ai nënvizoi se ky model po ndiqet jo vetëm edhe nga qytetet tjera të vendit, por shihet edhe si një nga formulat më të suksesshme të bashkëpunimit në rajon. “Më vjen mirë që një nga projektet tona më të mëdha është kthyer në histori suksesi, që po inkurajohet edhe në qytete të tjera. Sot partneriteti që kemi me Bashkinë e Veronës – dhe më në fund na është bashkuar edhe Bashkia e Vicencës – mbahet si një nga historitë më të suksesshme në rajonin tonë, ku një shembull i mirë i Italisë, me një shembull të mirë të Tiranës, ka prodhuar sukses në zemër të Ballkanit”, u shpreh ai.

Veliaj shpjegoi se si do transformohet ky shërbim i rëndësishëm për qytetin në 5 vitet e ardhshme: “Disa nga kontenierët, që janë me kapacitet deri 3800 litra, do të shkojnë në 5 mijë litra, dhe do jenë risia që duam ta zgjerojmë nga qendra e Tiranës deri në periferi, për t’u siguruar që sa më shumë mbetje të jenë nëntokë, edhe për efekt të higjienës dhe erës, edhe për ta bërë punën më të lehtë për të gjithë ata që punojnë me pastrimin.

Ambicia jonë është që në mandatin e tretë, të gjithë kontenierët e qendrës së Tiranës t’i kemi nëntokë dhe të kemi një formulë ku, edhe qyteti është më i pastër, edhe punëtorët tanë janë më të mbrojtur, por edhe qytetarët janë më të kënaqur me shërbimin, në një qytet i cili rritet përditë,” tha Veliaj.


Top Channel

Veliaj: Mandatin e ardhshëm, të gjithë kontenierët e mbetjeve në zonën e qendrës do të futen nëntokë
|