Lidhja Demokratik e Kosovës ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim me sektorin e energjisë elektrike.
Përmes një postimi në Facebook, LDK-ja ka shkruar se Blloku A5 i Termocentralit Kosova A prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të mbuluar rreth 13% të nevojave për Kosovë.
Sipas LDK-së, ky bllok është lënë jashtë funksioni qe 9 muaj me radhë.
“Për çdo ditë që kemi blerë energji elektrike për të mbushur zbrazëtirën që do të mund ta mbulonte blloku A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor. Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku nga pushteti, nuk do të kishte ngritje të çmimit të rrymës prej 15%”, ka shkruar LDK-ja.
Sipas kësaj partie, kjo qeveri është e paaftë.

E pak ditë më parë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe General Electric (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B, me vlerë 56.2 milionë euro.
Marrëveshja u cilësua shumë e rëndësishme edhe nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
“Jemi këtu për ta shtruar rrugën legjislative dhe strategjike për sektorin e energjisë. Nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje të rëndësishme për një ndër shtyllat kryesore të energjisë në Kosovë, KEK-un”, tha Kurti.
Tutje Kurti ka thënë se kjo marrëveshje me vlerë 56.2 milionë euro do të rrisë kapacitetin dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B.