Pse finlandezët janë njerëzit më të lumtur në botë

featured

Studimi i Kombeve të Bashkuara mbi Lumturinë Botërore, u kërkon qytetarëve të vlerësojnë nivelin e tyre të lumturisë, dhe i rendit vendet bazuar në përgjigjet e tyre. Ajo ngre pyetjen: Cilat janë karakteristikat e një vendi të lumtur?

E kush më mirë mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje sesa një filozof dhe studiues i psikologjisë nga një vend, qytetarët e të cilit, pavarësisht ditëve të gjata të të ftohtit dhe errësirës së dimrit, regjistrojnë vazhdimisht disa nga nivelet më të larta të lumturisë në botë?

Profesor Frenk Martela studion bazat e lumturisë dhe jep leksione në Universitetin Alto në Finlandë. Martela dhe kolegët përshkruajnë faktorët që ka të ngjarë të nxisin ndjenjën finlandeze të mirëqenies. Më të bien dakord edhe studimet e fundit. Lumturia e tyre mund të jetë për shkak të gjërave që nuk bëjnë:

Nuk shqetësohen ta krahasojnë veten apo të kenë gjithçka që kanë të tjerët
Finlandezët nuk janë të dhënë pas shfaqjeve të hapura të pasurisë së tyre materiale. Madje edhe njerëzit më të suksesshëm në Finlandë duken si gjithë të tjerët. Finlandezët duket se e kanë kuptuar atë që tregojnë shumë studime psikologjike tani:është e pashëndetshme mania për t’u krahasuar me të tjerët.

Nuk e neglizhojnë rëndësinë e të shëtiturit rregullisht në natyrë
Edhe akti i thjeshtë i daljes nga ambientet e mbyllura e rrit cilësinë e jetës së tyre. Një studim i publikuar më 5 gusht 2022 në revistën “Science Advances”, konfirmon se ka edhe më shumë përfitime të kalimit të kohës në natyrë sesa mendohej më parë.

Aleksandros Gasparatos, profesori i asociuar i shkencës së qëndrueshmërisë në Universitetin e Tokios, dhe bashkë-autor i studimit, shpjegon se humori, qëndrimi, sjelljet dhe vlerat mund të ndryshojnë menjëherë ose për një kohë të shkurtër pas ndërveprimit me natyrën. Po ashtu një studim në Tokio, zbuloi se ndërveprimet me natyrën e çojnë më tej zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore kuptimplota.

Nuk e thyejnë rrethin e besimit të komunitetit
Finlandezët priren që t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të vlerësojnë ndershmërinë. Një eksperiment i “portofolit të humbur” në vitin 2022, testoi ndershmërinë e qytetarëve duke hedhur 192 kuleta në 16 qytete në mbarë botën. Në Helsinki, 11 nga 12 kuletat iu kthyen pronarit. Njerëzit mund të rrisin besimin e komunitetit duke pyetur veten:“Si mund të sillem që komuniteti im të krijojë më shumë besim tek unë? Si mund të mbështes politikat që ndërtohen mbi këtë besim?”. Besim krijojnë edhe akte mirësjellje shumë të thjeshta, siç është hapja e dyerve për të huajt apo lirimi i vendit në tren për dikë që është më i moshuar apo që ka fëmijë. / “Psychology Today” – bota.al


Top Channel

Pse finlandezët janë njerëzit më të lumtur në botë