Retorika dhe debati mes dy partive më të mëdha politike maqedonase në vend, VMNRO-DPMNE-së opozitare dhe LSDM-së në pushtet për ndryshimet kushtetuese dhe futjen e komunitetit bullgarë në Preambulë, që të zhbllokohet rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, vazhdon të jetë i tensionuar dhe i ashpër, shkruan PRESSonline.al
Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.
“Në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, në mungesë të projekteve reale, LSDM dhe BDI janë si pllaka e thyer gramafoni. Për gjashtë vjet e gjysmë nuk ka pasur asnjë projekt të madh. Për gjashtë vjet e gjysmë Maqedonia po zhytet në varfëri, gjysmë milioni njerëz jetojnë me 150 denarë në ditë dhe qeveria që nuk ofron të ardhme. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është vendimtar dhe nuk do të ndryshojë, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen, pa konsensusin e popullit maqedonas, nuk ka konsensus”, thonë nga VMRO-DPMNE, përcjell PRESSonline.al
Në anën tjetër, nga LSDM-ja e Dimitar Kovaçevskit kanë akuzuar opozitaren VMRO-DPMNE se është kundër integrimit të vendit në BE.
“Padyshim që pengu i Hristijan Mickoskit ndaj Dimitar Apasiev dhe Levicës bëri të vetën. Ata të dy janë të vetmit që janë kundër BE-së dhe të ardhmes evropiane të vendit dhe qytetarëve të saj, dhe këtë Mickoski e konfirmon çdo ditë. Apasiev është frymëzimi i tij dhe konkurron me të se si ta bllokojë rrugën drejt BE-së dhe kush do t’i shkaktojë më shumë dëm shtetit, gjeneratave të ardhshme. LSDM-ja bashkë me qytetarët, bashkë me të gjitha partitë pro-evropiane në vend nuk do ta lejojnë këtë”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.
Ne jemi të gatshëm, thuhet më tej në reagim, që të jemi lider i koalicionit pro-evropian dhe në nismën për të bërë të gjitha reformat dhe ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të vazhduar rrugën drejt Europës.(PRESSonline.al)