Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, njërën ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, ka thënë Osmani.
Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Sot janë bërë 24 vjet nga Beteja e Koshares.
Beteja e 9 prillit të vitit 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./21Media