1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Ndryshimet kushtetuese, Sherifi: Propozimi i VMRO-së, është fyesë për shqiptarët

Ndryshimet kushtetuese, Sherifi: Propozimi i VMRO-së, është fyesë për shqiptarët

featured

Kërkesa e kushtëzuar e VMRO-DPMNE-së për t’u përfshirë në ndryshimet kushtetuese, duke e marrë për shembull modelin e Kroacisë është retrograde dhe fyese, sidomos për shqiptarët konsideron  profesori Universitar Isak Sherifi, në një prononcim për TVM2, përcjell PRESSonline.al

Sipas tij kërkesa e VMRO-DPMNE-së për takim të liderëve korrespondon me zhvillimet aktuale por, tentativat e imponimit të versionit të ndryshimeve kushtetuese duke marrë segmente nga modeli kroat nuk përputhet me realitet politik në vend.

Sipas Sherifit, kushtetuta monoetnike gjatë këtyre 30 viteve u tregua si shembull i keq.

“Mendoj se nuk i përfaqëson denjësisht dhe realisht interesat e shqiptarëve inkorporimi i disa pjesëve të kushtetutës së Kroacisë, në ndryshimet kushtetuese në RMV. Të gjitha tentativat që të imponohet nga pala maqedonase tek pala shqiptare ndonjë version për ndryshimet eventuale të  brendshme të kushtetutës nuk i bëjnë nder edhe skenës politike në Maqedoni, por nuk i bëjnë nder edhe komunitetit shqiptar. Një kushtetutë monoetnike ishte një shembull shumë i keq për raportet ndëretnike në Maqedoni, në këto 30 vitet e fundit” – tha profesori universitar, Isak Sherifi.

Që kërkesa e VMRO-DPMNE-së nuk korrespondon me realitetin në Maqedoni, vlerëson edhe  analisti maqedonas Lubisha Nikollovski, sipas të cilit në Maqedoni kemi një realitet krejt ndryshe krahasuar me Kroacinë.

“Kjo kërkesë e Mickovskit për ndryshimet kushtetuese sipas modelit kroat është jo reale, sepse ne kemi kaluar një rrugë politike dhe historike krejt ndryshe nga Kroacia. Ideja ka qenë që disa pjesë të merren të kushtetutës së Kroacisë, dhe jo të bëhet Copy-Paste. Ndryshimet kushtetuese duhet ti përkrah VMRO-DPMNE në tërësi, dhe jo të tentohet të sigurohen 6 apo 7 deputet të kësaj partie. Sot është akt patriotik ta shtysh RMV-në në rrugën europiane. Unë mendoj se në momente të fundit, VMRO-DPMNE-ja do t’i thërret mendjes, dhe do t’i votojë ndryshimet kushtetuese” – u shpreh analisti politik, Lubisha Nikollovski.

Edhe Nikollovski edhe Profesori Universitar Sherifi kanë pohuar se këto momente për vendin tonë janë shumë vendimtare dhe se duhet të ndërtohet një konsensus i brendshëm dhe të tejkalohet sfida para së cilës gjendet RMV-ja.

Në të kundërtën, sipas tyre, lëshimi i kësaj mundësie do ta fuste Maqedoninë e Veriut në një rrugë me shumë të panjohura pasi do të largonte vëmendjen e faktorit ndërkombëtarë nga vendi ynë.

Ndryshimet kushtetuese, Sherifi: Propozimi i VMRO-së, është fyesë për shqiptarët
|