1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Moldavia, “dominoja” e parë në një plan të ri të Rusisë për përshkallëzimin e konfliktit në Evropë

Moldavia, “dominoja” e parë në një plan të ri të Rusisë për përshkallëzimin e konfliktit në Evropë

featured

Një nga pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë është fakti se Kremlini ka humbur një pjesë të madhe të ndikimi të tij në vendet ish-sovjetike.

Dhe kjo gjë krijon mundësi për ta kufizuar aftësinë e Moskës për të shfrytëzuar rolin e saj dikur dominues për të çuar përpara qëllimet e saj të luftës.

Megjithatë, kjo do të thotë gjithashtu se Rusia ka të ngjarë të përpiqet të përshkallëzojë tensionet dhe konfrontimet në të gjithë rajonin. Gjatë javëve të fundit, Moldavia ka qenë në qendër të përpjekjeve të tilla nga Kremlini. Dhe ky është një tregues se si ajo e parashikon fazën tjetër të konfrontimit të saj me Perëndimin.

Edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, kishte shenja se vendet e Azisë Qendrore kishin filluar të pretendonin më fuqishëm interesat e tyre individuale dhe kolektive, një prirje që vetëm sa është përshpejtuar që nga shkurti i vitit 2022.

Ndërsa është forcuar roli i Kinës në rajon, pjesërisht si rezultat i boshllëkut të krijuar nga Rusia, SHBA-ja ka rigjallëruar marrëdhëniet e saj me partnerët kryesorë në Azinë Qendrore, veçanërisht Kazakistanin dhe Uzbekistanin, dhe kjo është një shenjë tjetër e zvogëlimit të statujës ndërkombëtare të Rusisë.

Në Kaukazin Jugor, edhe Turqia e ka sfiduar dominimin e dikurshëm të Rusisë në rajon. Ankaraja e ka mbështetur hapur Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë (një klient i rusëve) për rajonin e Nagorno–Karabak.

Kontrolli turk mbi infrastrukturën kryesore të tubacioneve, siç është gazsjellësi trans-anatolian, i cili lidh rajonin e Shah Denizit të Azerbajxhanit me Gazsjellësin Evropian Trans-Adriatik në kufirin greko-turk, ofron një alternativë jetike ndaj naftës dhe gazit rus.

Njëkohësisht, Bashkimi Evropian ka luajtur një rol më pro–aktiv si ndërmjetës në konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo është shumë në dëm të Moskës, që dikur ishte ndërmjetësi kryesor i fuqisë në këtë konflikt. Kufijtë e ndikimit rus u bënë të dukshme në Gjeorgji kohët e fundit.

Pas 3 ditë protestash gjithnjë e më të dhunshme, qeveria atje u detyrua të tërhiqte një projekt-ligj në parlament që do të kishte kufizuar shumë liritë civile dhe politike në mënyra që të kujtojnë ligjin “mbi agjentët e huaj” në Rusi. Nërkohë Rusia gjithashtu duket se e ka tepruar me ndikimin e saj dashakeq në Ballkan.

Qeveria serbe – një nga aleatet e vjetra të Moskës në rajon – nuk tregoi asnjë hezitim në shkurt të këtij viti kur goditi protestuesit pro-Kremlinit që u përpoqën të sulmonin ndërtesat qeveritare në kryeqytetin Beograd. Për shkak të kostove të luftës në Ukrainë, Rusia mund të jetë e kufizuar në masën në të cilën mund ta frenojë – apo edhe të ndryshojë – këtë humbje të ndikimit.

Por do të ishte i gabuar dhe i rrezikshëm nënvlerësimi i përpjekjeve ruse për ta bërë këtë. Kjo gjë ka qenë më e dukshme prej disa kohësh në Moldavi. Atje Rusia është përfshirë vrullshëm në përpjekjet destabilizuese që synojnë rrëzimin e qeverisë pro-perëndimore të Maia Sandudhe pengimin e përpjekjeve të vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Përpjekjet e Rusisë për të krijuar destabilitet në Moldavi, dhe në rajonin separatist Transnistria, mbështeten kryesisht tek fushatat e keq-informimit, duke përhapur zëra se Moldavia dhe Ukraina kanë komplotuar për të pushtuar Transnistrinë. Po ashtu Kremlinika shfrytëzuar krizën ekonomike në Moldavi, e shkaktuar nga inflacioni i lartë për shkak të luftës në Ukrainë, duke nxitur dyshime mbi kompetencën e qeverisë dhe legjitimitetin e kursit të saj pro-evropian.

Ndërkaq Moska ka luajtur edhe me pasigurinë, duke pretenduar një sulm të afërt ukrainas në Transnistria apo përdorimin e një “bombe të pistë” nga Ukraina mbi territorin separatist. Por ekziston në të njëjtën kohë edhe rreziku që çfarëdo asetesh ushtarake që kontrollon Rusia në Transnistria, mund të përdoren për të krijuar një front të dytë në luftën kundër Ukrainës.

Ndërsa kjo gjë nuk ka shumë gjasa, ky skenar e ka detyruar Ukrainën të përqendrojë disa nga forcat e saj në kufirin me Transnistrinë. Sepse sado i vogël për momentin, ekziston rreziku i përshkallëzimit të paqëllimshëm që mund të përfshijë shpejt Transnistrinë dhe Moldavinë dhe që mund të tërheqë Ukrainën dhe Rumaninë fqinje, një vend anëtar i NATO-s dhe një aleat kyç i qeverisë së Sandu, dhe që ka lidhje të forta historike me Moldavinë.

Rusia ka investuar shumë në përpjekjet e saj për destabilizimin e Moldavisë. Ndërsa mund të duket sikur ky investim nuk ka pasur shumë përfitime, ky do të ishte një përfundimi i gabuar. Moska e ka pasur relativisht të lehtë të përfitojë nga zhgënjimet që ndjejnë shumë moldavë të zakonshëm, nëpërmjet përhapjes së një narrative që e devijon fajin dhe që e përkeqëson frikën dhe pasigurinë.

Rusia i ka përdorur me kujdes marrëdhëniet me aleatët e saj vendosur në establishmentinpolitik moldav, siç është Irina Vlah, udhëheqësja e zgjedhur kohët e fundit në krye të rajonit autonom Gagauzian apo partia opozitare pro-Moskës Shor. Kjo do të thotë se Kremlini ruan një ndikim jo proporcional malinj në një vend me institucione tepër të dobëta.

Këto leva të ndikimit rus janë të spikatura në Moldavi, por ato ekzistojnë edhe diku tjetër. Dështimi i fundit në Gjeorgji, nuk do të thotë se Rusia do të shmangë përdorimin sërish të këtij ndikimi. Përkundrazi, edhe disfata që pësoi koalicioni pro-rus i partive politike, Ëndrra Gjeorgjiane, në lidhje me “ligjin e agjentëve të huaj”, që tashmë është tërhequr, i përshtatet axhendës së politikës së jashtme që fokusohet mbi të gjitha në nxitjen e destabilitetit.

Një zone post-sovjetike e paqëndrueshme mund të mos jetë zgjedhja e parë e Moskës. Gjithsesi nga këndvështrimi i Kremlinit, ajo është më e preferueshme sesa një “lagje” ku Rusia është e rrethuar nga vende të forta, të mirë-qeverisura me një orientim pro-perëndimor.

Një perspektivë e tillë nuk premton gjëra të mira për vendet që janë shumë të varura nga Rusia ekonomikisht apo ushtarakisht, përfshirë Armeninë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin. Dhe as për vendet me komunitete të rëndësishme etnike ruse, si në Kazakistan, apo edhe në vendet anëtare të NATO-s si Letonia dhe Estonia.

Kjo i bën edhe më domethënëse ngjarjet aktuale në Moldavi. Dhe nëse ky është një test i një versioni të ri të manualit të vjetër rus të destabilizimit të fqinjëve, është akoma më e rëndësishme që të ndalohet plani djallëzor i Kremlinit në Moldavi.


Top Channel

Moldavia, “dominoja” e parë në një plan të ri të Rusisë për përshkallëzimin e konfliktit në Evropë
|