Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ua ka uruar Pashkën gjithë besimtarëve katolikë e protestantë.
Në këtë ditë, kryeministri shprehet se më shumë se kurrë kemi nevojë për besim, “mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t’i kalojmë të gjitha pengesat me durim e t’i kremtojmë arritjet me gëzim”.
“Kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët tanë”, shkruan ai tutje.
Kurti tha se në këtë ditë le t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se me më shumë vendosmëri e besnikëri, të inkurajuar nga shpresa e të mbrujtur nga përkushtimi, së bashku, ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit dhe solidaritetit.
“Le të frymëzohemi nga gëzimi që vjen pas sakrificës së madhe, nga gëzimi i ringjalljes, nga kumti i Pashkës për më shumë përgjegjësi dhe unitet. Kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët tanë. Le të tregojmë solidaritet dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët.
Festa e Pashkës është festë e shpresës, besimit dhe dashurisë së përjetshme, ku jeta mposht vdekjen dhe drita mposht errësirën. Ajo evokon devocionin dhe tregon rrugën e ripërtëritjes dhe rilindjes. Na inspiron për të arritur fitoren e së mirës mbi të keqen me fuqinë e shpirtit tonë. Për shumë mot urime Pashkën!”, ka shkruar Kurti.