1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Haradinaj: Pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta jonë për liri

Haradinaj: Pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta jonë për liri

featured

(Lajm i përditësuar)

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se mes heronjve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar.

“Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së u tha se sot nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë.
“Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme. Lavdi”, tha Abixhiku.

Haradinaj: Pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta jonë për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.

Haradinaj u shpreh se Epopeja e Koshares ka qenë vendimtare për epilogun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai potencoi se pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta për liri.

“Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptar në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, u shpreh Haradinaj.

Krasniqi: Beteja e Koshares i dha fund ndarjes së kombit shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Beteja e Koshares i dha fund ndarjes së kombit shqiptar.

Krasniqi tha se kjo betejë ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

Ai theksoi se Kosharja, është një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares”, tha Krasniqi.

Më 9 prill, u zhvillua operacioni “Shigjeta” nën udhëheqjen e Agim Ramadanit- Katana.

Në këtë betejë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.

Haradinaj: Pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta jonë për liri
|