Vonesat në miratimin e marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit zbehin pritjet e qytetarëve

featured

Maqedonia e Veriut nuk ka ratifikuar ende marrëveshjet e vitit 2022 nga Procesi i Berlinit e që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Marrëveshjet nga udhëheqësit shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, u nënshkruan më 3 nëntor pas gati dy vjet negociatash, ndërsa do të hyjnë në fuqi pas ratifikimit nga të gjitha shtetet.

Pesë muaj pas nënshkrimit të tyre, marrëveshjet janë ratifikuar vetëm nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar në Qeveri prej nga janë dërguar për miratim në Parlament.

“Projektligji për ratifikimin e tri marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e diplomave dhe titujve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore janë dërguar për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Qeveria.

Nga Kuvendi kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se propozimet janë në procedurë parlamentare dhe së shpejti pritet ratifikimi i tyre pasi nuk ka asnjë pengesë për një gjë të tillë.

Nga Instituti Maqedonas për Demokraci i bëjnë thirrje Kuvendit që sa më parë t’i vendosë ato në rend dite pasi në anketën e realizuar së fundi ky institut ka konstatuar se qytetarët janë shumë të interesuar që këto marrëveshje të fillojnë të aplikohen sa më parë.

Rreth 80 për qind e të anketuarve presin ratifikimin e marrëveshjeve për shkak të hapjes së mundësisë për të punuar në një vend tjetër ballkanik për një periudhë më të gjatë, thonë drejtuesit e Institutit për Demokraci.

“Një përqindje e madhe e qytetarëve shohin përfitime nga këto marrëveshje të arritura. Është e qartë se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nga Maqedonia e Veriut do të sjellë përfitim për qytetarët e këtij vendi”, thotë Zoran Naçev nga Instituti për Demokraci.

Për më tepër, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85 për qind e të anketuarve.

Sipas këtij instituti, por edhe njohësve të çështjeve politike, vonesat mund të zbehin pritjet e qytetarëve për përfitime nga nismat e këtilla rajonale.

Ismet Ramadani, analist dhe përfaqësues i Këshillit Euroatlantik, thotë për Radion Evropa e Lirë se obligimet nga nisma rajonale duhet të përmbushen dhe jo të favorizohet njëra apo nisma tjetër, pasi të gjitha, sipas tij, janë në interes të qytetarëve.

Si me rëndësi ai e thekson edhe nevojën ndihmave më konkrete financiare dhe ekonomike nga Procesi i Berlinit për shtetet pjesëmarrëse të kësaj nisme.

“Për mua është brengosëse ajo se sikur kemi një ndeshje mes obligimeve që po merren nga Procesi i Berlinit dhe të tjerave nga nisma e Ballkanit të Hapur. Në vend që ta ndihmojnë njëra-tjetrën si duket ende nuk kanë gjetur harmoni lidhur me obligimet e marra… Lihet përshtypja sikur ka një vullnet për lëvizje të lirë, komunikim të lirë, hapje të shteteve të Ballkanit sipas procesit të Berlinit, por megjithatë çështjet nuk po shkojnë ashtu siç duhet… Unë mendoj se edhe infuzionet financiare dhe ekonomike nga Procesi i Berlinit duhet të jenë më konkrete”, thotë Ramadani.

Marrëveshjet nuk janë ratifikuar ende nga Bosnjë e Hercegovina. Këshilli i Ministrave i këtij vendi e ka shtyrë votimin për shkak të mungesës së një konsensusi të brendshëm, përkatësisht refuzimit të Republikës Sërpska për shkak të Kosovës.

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Në rast se marrëveshja do të ratifikohej, atëherë kjo do të mundësonte lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Qeveria e Serbisë, nga ana e saj, ka aprovuar marrëveshjet, por projektligjet janë ende në procedurë parlamentare, njëjtë sikur edhe Mali i Zi.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

Procesi përfshin, gjithashtu, institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon./REL

Vonesat në miratimin e marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit zbehin pritjet e qytetarëve