Mbi 300 mijë familje kanë akses në shërbime të integruara në Shqipëri zbulon raporti i AKEP

featured

Ne në shtëpi përdorim telefon fiks, shohim televizor dhe mbi të gjitha përdorim internet. Këto shërbime përfitohen duke nënshkruar një marrëveshje me një prej operatorëve që funksionojnë në vendin tonë. Kompanitë e ndryshme kanë larmishmëri shërbimesh duke filluar nga interneti, shërbimi telefonik, aparate celulare, oferta të ndryshme etj. Kur ne marrim disa prej këtyre shërbimeve atëherë ne kemi përfituar shërbime të integruara. Shërbim i integruar do të thotë që ne duhet të abonohemi dhe lidhim marrëveshje për disa nga shërbimet e ofruara.

Mbi këtë pjesë të komunikimit elektronik, AKEP ka krijuar raportin mbi tremujorin e fundit të 2022. Ky raport është bërë mbi bazën e raporteve të dorëzuara nga të gjitha kompanitë funksionale të tregut elektronik të komunikimit. Sipërmarrësit kanë zgjedhur disa tregues dhe mbi to kanë nxjerrë karakteristika nga mund të shohim se si kompanitë po krijojnë një shërbim sa më cilësor për qytetarët.

NUMRI I PAJTIMTARËVE QË PËRFITOJNË SHËRBIME TË INTEGRUARA

Numri i gjithë pajtimtarëve që kanë akses në shërbimet e integruara për tremujorin e katërt të vitit 2022 është 306,866 abonentë. Kjo shifër tregon një rritje me 2,1 % nga tremujori paraardhës dhe rritje me 2,2 % nga tremujori i fundit i vitit 2021. Në këtë statistikë përfshihen të gjithë personat që paguajnë fatura fikse për një prej shërbimeve që kompania apo operatori ofron.

TELEFONIA FIKSE DHE INTERNETI

Nga raporti i kryer, numri i qytetarëve që marrin këtë shërbim është 90,584 përdorues. Kjo përbën rritje me 2,9 % nga tremujori 3 i vitit 2022 dhe rritje me 9,6 % nga fundi i vitit 2021. Të gjithë personat duhet të paguajnë faturë për dy shërbimet, pra edhe për telefon edhe për internet dhe nuk duhet që të paguajnë dy tarifa të veçanta.

TELEFONIA FIKSE,INTERNETI DHE TV

Të dhënat statistikore të kryera raportojnë 72,485 pajtimtarë që përfitojnë të tre-ja këto shërbime. Kjo shifër tregon rënie me 5,8 % nga tremujori i mëparshëm i 2022 dhe rënie të ndjeshme me 20,9 % nga tremujori i katërt i 2021. Në këtë kategori janë përfshirë gjithë ata abonentë që paguajnë një tarifë fikse mujore për të trija shërbimet. Pajtimtarët duhet të kenë shërbim telefon, akses broadband ku përfshihet interneti me limit ose palimit dhe paketa TV. Personat që kanë këto shërbime, por kryejnë pagesa të veçanta nga njëra-tjetra nuk përfshihen në këtë kategori.

INTERNET DHE TV

Duke parë raportet e dorëzuara, numri i personave që kanë nënshkruar marrëveshje për këto dy shërbime është 143,797 pajtimtarë. Kjo shifër përbën rritje me 6 % nga tremujori i tretë i 2022 dhe rritje me 14,1 % nga fundi i vitit 2021. Interneti dhe paketa TV duhet të kenë një tarifë të përbashkët dhe jo të ndara nga njëra-tjetra që pajtimtarët të hynë në këtë kategori.

Nga gjithë raporti i kryer nga AKEP vihet re që ka rritje të numrit të pajtimtarëve në përgjithësi dhe kjo tregon që shërbimet e komunikimit elektronik në vendin tone janë në rritje. Puna e mirë e kompanive dhe operatorëve bën që interesi i qytetarëve për të përfituar këto shërbime të jetë në rritje. Shqipëria po përparon dita-ditës në tregun e komunikimit dhe fitimet që vijnë nga ky përmirësim janë të mëdha për të gjithë vendin.

/PCWorld Albanian

Mbi 300 mijë familje kanë akses në shërbime të integruara në Shqipëri zbulon raporti i AKEP
|