1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Ankaraja dhe Moska heqin pengesat për eksportet e drithërave ruse dhe plehrave bujqësore

Ankaraja dhe Moska heqin pengesat për eksportet e drithërave ruse dhe plehrave bujqësore

featured

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka bërë të ditur se Ankaraja dhe Moska ranë dakord të heqin pengesat ndaj eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore.

“Korridori i drithërave është dëshmi se dialogu dhe negociatat po funksionojnë. Ne i kushtojmë rëndësi vazhdimit të marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme edhe në aspektin e reduktimit të krizës botërore ushqimore. Ne ramë dakord se pengesat ndaj drithërave dhe eksporteve ruse gjithashtu duhet të hiqen. Ne mbështesim përpjekjet për të hequr këto pengesa”, tha Çavusoglu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

Çavusoglu gjithashtu tha se është e rëndësishme të sigurohet edhe dërgesa e amoniakut dhe e plehrave bujqësore ruse.

Ministri turk njoftoi se mbi 27 milionë tonë drithëra janë transportuar në 866 anije përmes korridorit të drithërave të Detit të Zi, që Turqia e ndihmoi duke ndërmjetësuar vitin e kaluar në një përpjekje për të shmangur një krizë të mundshme ushqimore në mes të luftës Rusi-Ukrainë.

Më 22 korrik, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë në muajin shkurt të vitit të kaluar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Lufta, e cila ka më shumë se një vit, vazhdon të dëmtojë mbarë botën. Ne edhe një herë theksuam pritjen tonë që lufta të përfundojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe përmes negociatave. Ne po përpiqemi ta zgjidhim problemin duke negociuar me të dyja palët”, tha shefi i diplomacisë turke.

Ankaraja dhe Moska heqin pengesat për eksportet e drithërave ruse dhe plehrave bujqësore
|