1. Lajme
  2. SHËNDETI
  3. 13 Këshilla Për Kujdesin e Lëkurës – Çfarë Rekomandojnë Dermatologët

13 Këshilla Për Kujdesin e Lëkurës – Çfarë Rekomandojnë Dermatologët

featured

Kujdesi i rregullt që tregoni ndaj lëkurës tuaj, do të bëjë një ndryshim të madh në pamjen tuaj, por mos prisni rezultate brenda natës, veçanërisht kur bëhet fjalë për reduktimin e shenjave të plakjes. Nëse i keni vendosur vetes këtë qëllim, AgroWeb.org ju vjen në ndihmë duke ju njohur me 13 këshillat që dermatologët japin për kujdesin ndaj lëkurës.

Përdorni krem kundër diellit çdo ditë, në çdo stinë.

Kremi kundër diellit është mjeti juaj më efektiv për kujdesin e lëkurës. Sipas dermatologëve më të mirë në botë, ky është kremi nr. 1 kundër plakjes.

Deri më sot është vërtetuar se përdorimi i vazhdueshëm i kremrave kundër diellit ka ndikimin më të madh në parandalimin e plakjes së përshpejtuar dhe kancerit të lëkurës. Prandaj ai duhet përdorur çdo ditë si pjesë e rutinës së mëngjesit.

Dermatologët këshillojnë që të përdorni një krem dielli me mbrojtje 30 ose më të lartë.

Për më tepër, studimet tregojnë se edhe drita blu e krijuar nga kompjuterët dhe pajisjet elektronike ka një ndikim negativ në lëkurë. E kjo sepse sipas studiuesëve, ekspozimi ndaj dritës blu lidhet me prodhimin e radikaleve të lira, të cilat shkaktojnë plakjen e parakohshme të lëkurës.

Pastroni fytyrën përpara gjumit

Gjumi me grim mund të shkaktojë një sërë problemesh me lëkurën. Mund të bllokojë poret në fytyrë, të përkeqësojë dhe të thajë lëkurën e fytyrës dhe të buzëve.

Ky është një zakon i keq që shumë njerëz e kanë. Por për fat të mirë, kjo zgjidhje është e thjeshtë: Lani fytyrën përpara se të vini kokën në jastëk.

Mbroni lëkurën tuaj nga ditët e ftohta të dimrit

Dermatologët këshillojnë që njerëzit të përdorin produkte shtesë për kujdesin e lëkurës në dimër, pasi moti i ftohtë dhe era dëmtojnë shtresën e jashtme të lëkurës.

Përdorni produkte që përmbajnë glicerinë dhe laktat amoni, sepse këta përbërës mund të ruajnë lagështinë në lëkurën tuaj.

Përdorni retinol dhe vitaminë C

Shumë dermatologë pajtohen me mendimin se lëkura mund të përfitojë nga serumi i vitaminës C dhe kremi kundër diellit nëse alpikohen në mëngjes, dhe nga retinoli që aplikohet gjatë natës.

Vitamina C është një antioksidant, dhe është i dobishëm kur vendoset nën kremin e diellit, pasi ka funksion të dyfishtë. Ju mbron nga rrezet e diellit dhe redukton mundësinë e shfaqjes së njollave.

Ndërsa retinoidet kanë dhënë provat më të mira për minimizimin e shenjave të dukshme të plakjes.  Në përpjekjen për të zgjedhur se cili produkt retinoli është më i miri për ju, duhet të provoni dhe të gjeni atë që funksionon më mirë për ju.

Si fillim, dermatologët këshillojnë të aplikoni një produkt retinoli dy herë në javë si pjesë e një rutine para gjumit. E kjo sepse retinoidet ju bëjnë më të ndjeshëm ndaj diellit. Më pas, çdo një deri në dy javë, mund të rrisni shpeshtinë e përdorimit.

Qëllimi është ta aplikoni atë çdo natë nëse lëkura juaj e toleron, por nëse nuk e toleron, aplikimi dy deri në tre herë në javë është i mjaftueshëm.

Mos bëni solar

Kërkimet kanë treguar se solari rrit ndjeshëm rrezikun e melanomës, një lloj kanceri i lëkurës.

Mos përdorni produkte të skaduara

Kontrolloni datat e skadencës në të gjitha produktet tuaja për kujdesin e lëkurës dhe hidhni çdo gjë që ka kaluar datën e përdorimit. Gjithashtu shmangni çdo gjë që irriton lëkurën tuaj.

Mos e ngacmoni lëkurën kur jeni të stresuar

Ngacmimi i lëkurës apo shtrydhja e puçrave, sidomos kur jenin nën stres, mund të shkaktojë infeksion dhe acarime të lëkurës.

Mos konsumoni duhan

Siç mund ta dini tashmë, konsumi i duhanit ndikon në lëkurën tuaj, duke e bërë atë të duket e thatë, e skuqur ose e acaruar, dhe ta plakë atë më shpejt.

Mos bëni pastrim të tepërt

Edhe pse është një mënyrë efektive për të përmirësuar pamjen tuaj, teknikat e pastrimit të lëkurës duhen inkorporuar ngadalë, duke mbajtur shënim se si reagon lëkura juaj. Pastrimi i tepërt mund të shkaktojë disa shqetësime, veçanërisht tek ato me lëkurë të ndjeshme.

Jini më të vëmendshëm ndaj konsumit të sheqerit

Një gjë që shpesh neglizhohet në ruajtjen e shëndetit të lëkurës dhe shëndetit të përgjithshëm është regjimi ushqimor. Sheqeri mund të kontribuojë në plakjen e lëkurës dhe aknet, prandaj këshillohet të mos konsumohet në sasi.

Mos bëni dushe shumë të nxehta

Dushet e nxehta mund të jenë relaksuese, por nëse e teproni, uji i nxehtë mund të largojë lagështinë nga lëkura juaj dhe të shkaktojë thatësi, acarim dhe kruajtje. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ujit të nxehtë dëmton barrierën e lëkurës duke shkakuar më shumë dëm.

Bëni kontrollin vjetor të lëkurës

Dermatologët këshillojnë që ju të të planifikoni një kontroll vjetor të lëkurës. E kjo pasi ekzaminimet e rregullta të lëkurës shërbejnë si një formë e zbulimit të hershëm të kancerit të lëkurës. Sipas ekspertëve të shëndetit, kanceri i lëkurës është një nga format më të zakonshme të kancerit në botë dhe shumë nga shkaqet e tij, si ekspozimi ndaj rrezeve UV, janë të parandalueshme. Kështu një dermatolog mund të kontrollojë lëkurën tuaj për ndonjë nishan të ri, skuqje ose shenja të tjera të dëmtimit të lëkurës. /AgroWeb.org

13 Këshilla Për Kujdesin e Lëkurës – Çfarë Rekomandojnë Dermatologët
|