Dy ditë aspak, ndërsa disa ditë më parë, me restrikcione, banorët e Gërçecit nuk kanë energji elektrike. Ata akuzojnë se në muajin e Ramazanit EVN i la pa rrymë duke i dënuar edhe ata që paguajnë, por edhe ata që nuk paguajnë. Andaj banorët dolën në protestë para ekspoziturës së EVN-së në Gjorçe Petrov duke kërkuar që ta lëshojnë rrymën, të mos ketë ndërprerje që sipas tyre po ndodh shpesh. Nga, EVN thonë se në fshatin Gërçec nga ora 8 e mëngjesit të djeshëm ka defekt për shkak të të cilit u ndërpre furnizimi me energji elektrike. Nga EVN thonë se ky defekt është rezultat i përdorimit të vazhdueshëm ilegal dhe të pakontrolluar të energjisë elektrike nga banorët, pra për shkak të vjedhjes së energjisë elektrike. Transformatorët janë të mbingarkuar dhe dëmtuar, si dhe pajisjet e tjera të energjisë, dhe si rezultat të kësaj, ndodhin defekte serioze, thonë nga EVN, duke shtuar se ekipet e tyre shpesh ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike duke hasur në pengesa që e prishin funksionimin dhe punën normale. I pyetur për shkyçjen nga rrjeti i gjithë fshatit Gërçec, në një deklaratë për TV21, kryetari i Sarajit Blerim Bexheti tha se është kohë e gabuar që kjo të ndodhë tani në muajin e Ramazanit. Sa i përket pohimeve të EVN-së se në këtë vendbanim ka keqpërdorim të rrymës dhe pengesë që punëtorët të punojnë aty për riparim, Bexheti tha se ka institucione që duhet të reagojnë për këtë gjë.
“Unë i di, i kam edhe informacionet edhe nga kompania EVN që i kanë shpjegimet e veta, megjithatë dëmtohen edhe paguesit e rregullt por është edhe muaji i Ramazanit, andaj uroj që banorët dhe kompania të gjejnë një gjuhë të përbashkët që kjo çështje të kryhet njëherë e përgjithmonë. Jam në komunikim edhe me EVN-në edhe me banorët e Gërçecit dhe tash të shohim, sepse ndikimi ynë është aq sa është, vetëm mund të bëjmë apel, thirrje, komunikimi, ato janë kompani private, por shkyçja kolektive e rrymës nuk është e pëlqyeshme, ka institucione në këtë shtet dhe mendoj se nëse ka ndokund probleme, institucionet duhet të reagojnë që të zgjidhet.”- deklaroi Blerim Bexheti, Kryetar i Komunës së Sarajit.
Shkyçja kolektive nuk është e pëlqyeshme
