1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Pentagoni heton daljen e dokumenteve sekrete për luftën në Ukrainë (fotot)

Pentagoni heton daljen e dokumenteve sekrete për luftën në Ukrainë (fotot)

featured

Dokumente ‘të klasifikuara’ raportohet se përmbanin detaje të ndihmave ushtarake dhe forcës së batalioneve para një kundër-ofensive të mundshme të Ukrainës.

Pentagoni tha se po heton raportimet për shkelje të sigurisë së dokumenteve të planeve të luftës që ishin shfaqur në platforma të rrjeteve sociale.

Dokumentet ishin pikasur në rrjetet Twitter e Telegram, dhe thuhet e përmbanin lista të dërgesave të armëve, të forcës së batalioneve e informacione të tjera sensitive, sipas një artikulli në rrjetin New York Times.

Analistët ushtarakë thanë se faqet ishin ndryshuar në disa pjesë nga formati i tyre origjinal, duke ekzagjeruar numrin e të vdekurve nga pala e Ukrainës në favor të ushtrisë ruse, duke spekuluar se mund të jetë një tentativë dezinformimi nga Moska.

“Jemi në dijeni të raportimeve në rrjetet sociale dhe po rishikojmë çështjen”, tha zëdhënësja e shtypit të Pentagon, Sabrina Singh.

Rrjeti NYT tha se dokumentet ishin disa javë të vjetra dhe të paktën një prej tyre mbante stampën “top secret”, por nuk përmbanin detaje se kur apo si Ukraina do të niste kundër-ofensivën e saj.

Por gjithsesi analistët thanë se dalja e informacionit përbënte një “shkelje serioze të inteligjencës në lidhe me ndihmat për Ukrainën”.

Një prej dokumenteve që qarkullonte në rrjetet pro-ruse, tregonte për trajnimet e programuara për 12 brigada ukrainase, duke thënë se nëntë prej tyre po trajnoheshin nga forca të SHBA e Nato, të cilat kanë nevojë aktualisht për 250 tanke dhe 350 blinda të tjera, shtohet në artikull.

Përfaqësuesi presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak, tha se rrjedhja e informacionit ishte pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të diskredituar kundër-ofensivën ukrainase.

Podolyak tha për rrjetin Reuters se të dhënat kishin shumë mangësi apo trillime, prandaj janë “një lojë e inteligjencës ruse për të influencuar skenarët”.