Nuk përzihemi në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për interpretim të gabuar – kjo është deklarata e kryeministrit teknik bullgar i pyetur për kërkesën e dërguar deri në Shkup për pjesëmarrje në trupat punues për ndryshimet kushtetuese.
“Është problem i brendshëm i çdo shteti, ndryshimet në Kushtetutë dhe ndryshimet në ligje të tjera që bëhen, gjë që duhet t’i zgjidhë secili shtet vetë sipas ligjeve dhe praktikave të brendshme. Është një interpretim i gabuar që ne kemi dashur të marrim pjesë në atë proces. Ne duam të informohemi për këtë proces. Ju e dini se RMV mori përsipër detyrimin që të përfshijë bullgarët si etni shtet-krijuese, të barabartë me të gjitha etnitë e tjera të renditura në Kushtetutë, jo vetëm në preambulë, por edhe në nenin 49 të Kushtetutës dhe nenet e mëposhtme, duke garantuar kështu të drejtat e bullgarëve në Maqedoni.”- deklaroi Gallab Donev, Kryeministër i Bullgarisë.
I pyetur nëse Bullgaria duhet të vendosë sërish veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, Donev tha se kjo nuk është zgjidhja më korrekte, por duhet kërkuar dialog pozitiv dhe mënyra për të afruar qëndrimet. Shefi i diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov, dje në një konferencë për media sqaroi se “procesi i ndryshimit të Kushtetutës është sigurisht çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, por ai theksoi se “Bullgaria nuk do të pranojë asnjë formulim që do t’u jepte bullgarëve të Maqedonisë status që është në çfarëdo mënyre i ndryshëm nga ai i popujve të njohur me Kushtetutë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Propozimi francez është rezultat i punës kolektive të të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe Maqedonia duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese dhe sa më shumë që vendi ta ngadalësojë këtë proces, aq më shumë e ngadalëson anëtarësimin në BE, tha ambasadori i Francës në Sofje, Zhoell Mejer në një intervistë për BGNES. Ai thotë se çdo vend nga Ballkani Perëndimor vlerësohet individualisht dhe nuk mund të hyjë në mënyrë kolektive në BE.
“Kështu që Maqedonia nuk është përjashtim dhe kështu duhet t’ zbatojë reformat. Propozimi francez lejoi që të krijohet perspektivë për Maqedoninë e Veriut për shkak se është në interes të gjithë vendeve fqinje që të kenë fqinj i cili i përgjigjet standardeve europiane. Në këtë kuptim Maqedonia duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe nëse Shkupi e pranon këtë atëherë mund të vlerësojmë se Shkupi sheh arsye më të madhe që t’i bashkohet BE-së. Vlerësoj se tani duhet të përforcohet dialogu dhe të ndryshohet sa më shpejtë Kushtetuta. Nëse nuk bëhet kjo, rregullat e lojës janë të qarta.”- tha Zhoell Mejer, ambasador i Francës në Bullgari.
Ai theksoi se oferta e çdo vendi do të shqyrtohet sipas meritave dhe arritjeve individuale dhe se çdo vend duhet të tregojë se po bën përpjekje për hyrje në BE. Dje edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski theksuan se ndryshimet kushtetuese janë çështje e brendshme e shtetit.